2009-12-09 18:41:46

Nuk ndalet kriza e Bursës në Athinë


(09.12.2009 RV)Në Greqi, Bursa vazhdon të shënojë përditë humbje e sëbashku me krizën e Dubait dërgon sinjale negative për ekonominë evropiane. Sot edhe Bursat e Bashkimit Evropian e ato aziatike janë në rënie.
Qeveria socialiste e Greqisë u mblodh për të marrë masa. Sipas kryeministrit Papandreu, për herë të parë që nga rikthimi i demokracisë, më 1974, Greqia vë në rrezik sovranitetin e vet. Ministri i Financave siguroi se do të bëhet ç’është e mundur për të përballuar emergjencën dhe për t’i dhënë besueshmëri vendit. Sipas tij, gjendja mund të përballohet edhe pa ndihmën e Bashkimit Evropian, i cili dje i ofroi ndihmë Athinës.
Ndërkaq, studentët grekë nuk ndalen e shpallin se do të manifestojnë sërish në kryeqytetin grek, kundër asaj që e quajnë shtypje policeske e kundër përpjekjes për të hequr të drejtën e strehimit politik, por edhe për t’i kërkuar qeverisë që kriza të mos paguhet nga studentët e punëtorët.







All the contents on this site are copyrighted ©.