2009-12-09 18:40:10

Letra e klerit kinez: fazë tranzicioni ndërmjet Kinës e Vatikanit.


(09.12.2009 RV)“Në Kinë, bashkësia katolike e ndjen veten të mbështetur e të inkurajuar nga Kisha e Romës. Letra e kardinalit Bertone drejtuar meshtarëve kinezë me rastin e Vitit Meshtarak e ajo e Bendiktit XVI, katolikëve, në vitin 2007, konfirmojnë mirëkuptimin dhe dashurinë e Papës e të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit për Kishën e vendit aziatik”. Kështu shkruajnë, në një letër, botuar nga Agjensia Fides, disa ipeshkvij e meshtarë kinezë, duke nënvizuar se, pas përhapjes së tekstit të Atit të Shenjtë, atmosfera e tensionit u zbut në mënyrë të ndjeshme. Gradualisht erdhi duke u krijuar një frymë pajtimi e, ndonëse duhet kohë për të arritur në bashkimin e plotë, rruga e dialogut dhe e bashkëpunimit tashmë është e hapur.
Vërtetë duhet kohë për normalizmin e marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit e Kinës – pohojnë klerikët – por nuk mund të mos theksojmë se nisi periudha e tranzicionit e se duhet të përgatitemi para se marrëdhëniet të normalizohen, sepse në këtë udhë pajtimi – nënvizojnë – mund të lindin mosmarrëveshje e probleme të reja. Prandaj nuk duhet të vijojmë diskutimin se kush ka të drejtë e kush jo. Siç shkruan edhe kardinali Bertone – pohojnë klerikët kinezë – vëmendja duhet përqendruar tek “Kryemeshtari, Jezu Krishti” e tek shembulli i Shën Gjon Maria Vianejt. Prelatët e meshtarët kinezë nënvizojnë detyrat kryesore, që u dalin përpara, për të cilat flitet në Letrën e Papës e në atë të kardinalit Bertone. Duhen kultivuar virtytet meshtarake, duhet promovuar formimi i njerëzve e duhet organizuar më mirë bashkësia e Kishës. Përballë fenomeneve të reja e problemeve të reja, që duhet të përballojë sot Kisha katolike në Kinë, Letra e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, me shpesën e saj të ndritur, tregon edhe drejtimin e qartë, në përkim të plotë me përshpirtërinë dhe mendimim teologjik të papëve. Ripohon, njëkohësisht, parimin dhe drejtimin e dialogut e të pajtimit, lidhur me rrethanat aktuale dhe me zhvillimet e reja në marrëdhëniet ndërmjet Kinës e Vatikanit. Meshtarët kinezë – vijojnë të shkruajnë disa ipeshkvij e meshtarë të vendit aziatik – u inkurajuan shumë nga porositë e Shën Gjon Vianejt e nga ftesa e tij, që ngjall shpresa të reja”.
Kujtojmë se në Letrën, që ua drejtoi me rastin e Vitit Meshtarak, Hirësia e Tij i ftoi meshtarët kinezë të ndjekin shembullin e Famullitarit shenjt të Arsit, që diti të dialogojë me të gjithë, sepse ishte njeri i lutjes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.