2009-12-09 18:39:32

Konferenca e Kopenhagës mbi klimën: punohet me vështirësi për marrëveshjen përfundimtare


(09.12.2009 RV)RealAudioMP3 Vazhdon në Kopenhagë mbledhja e OKB-së mbi klimën, në ditën e saj të tretë. Duke lënë mënjanë entuziazmin e fillimit, delegatët e 192 vendeve të pranishme po punojnë për marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet nënshkruar nga të gjithë liderët botërorë. U njoftua se takimi i ardhshëm për ndryshimet e klimës do të mbahet në vitin 2011 në Afrikën e Jugut.
Vëmendja e të gjithëve është përqëndruar tani në vendet që kontribuojnë më shumë në ndotjen e ambientit, si SHBA-të dhe Kina, të cilat, siç theksoi presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, “nuk janë akoma gati”. Pekini u kërkoi vendeve më të industrializuara të japin shembullin të parat, duke transferuar edhe teknologjinë e përparuar në vendet më të varfëra, siç parashikohet nga Protokolli i Kiotos. Ndërkaq, G77-a e vendeve në zhvillim propozon një tekst alternativ, hartuar nga Danimarka, sipas të cilit duhet kufizuar rritja e ngrohjes globale vetëm me dy gradë, duhet reduktuar emetimi i gazeve serë, brenda vitit 2050, me 50% në krahasim me vitin 1990 dhe me 58% në krahasim me vitin 2005. Projekti impenjon më shumë vendet e pasura, të cilat duhet të reduktojnë ememtimin me 80%.
Por sa i kushton një vendi respekti për ambientin? Të dëgjojmë drejtorin e gazetës italiane “Financa dhe tregu”, Ugo Bertone:
Mund të kushtojë shumë. Me siguri, duhet të llogarisim një manovër prej miliarda dollarësh për çdo vend, sidomos nëse flasim për ekonomi të përmasave të Indisë, Kinës apo Brazilit. Por, në një rast si ky, do të ishte mirë të flisnim për kosto globale, pasi çështja e klimës nuk ka kufi. Do të thosha se ky është leksioni kryesor, që vjen nga një takim, si ai i Kopenhagës. Me të vërtetë, ky është një problem pa pasaportë.
Këto ditë në Kopenhagë u fol për ndihma konkrete prej së paku 30 miliard dollarësh për vendet në zhvillimi gjatë tri vjetëve të ardhshme, ndërsa dikush flet për 50 miliard dollarë. Cila është shifra që duhet?
Më tepër se për shifra, në këto raste, duhet folur për vullnetin dhe efikasitetin e shpenzimit të parave. Në të vërtetë, kjo konferencë duhet të kapërcejë deziluzionin e krijuar nga protokolli i Kiotos. Edhe atëherë u bënë shpallje të rëndësishme, u fol për shifra të mëdha, por u bë vërtet pak. Gjëja më e rëndësishme është të krijohet një rreth virtuoz, për të cilin, krahas ndihmave, të ekzistojë një shtysë e fortë që ekonomitë të respektojnë ambientin. Nëse ndodh kjo, 30 miliardat e para mund të krijojnë një rreth virtuoz për qindra miliarda të tjera. Kjo është e rëndësishme.







All the contents on this site are copyrighted ©.