Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kushtuar murgut mesjetar Ruperti: Zoti është
i durueshëm e dashamirës edhe atëherë kur njeriu e përdor keq lirinë e tij
(09.12.2009 RV)Murgu benediktin i shekullit XII, Ruperti i Dojcit, ishte në
qendër të vëmendjes së katekizmit të Benediktit XVI në audiencën e sotme të përgjithshme,
mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Papa kujtoi mësimet kryesore të këtij murgu,
një nga teologët më të rëndësishëm të kohës së vet, duke u ndaluar posaçërisht tek
ato, që lidhen me rolin e Papës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve teologjike mbi Sakramentin
e Eukaristisë e mbi praninë e së keqes në histori.
“Murgu mesjetar diti të
bashkërendojë studimin racional të mistereve të fesë me lutjen e kundrimin, që është
maja më e lartë e njohjes së Zotit”. Kështu e përmblodhi Benedikti XVI veprën e murgut
benediktin Ruperti. Papa nënvizoi, në mënyrë të posaçme, se teologu i madh shquhej
për ndershmërinë e tij të pacënuar si dhe për lidhjen e pazgjidhshme me Selinë e Shën
Pjetrit. Në kohën e tij – vijoi Benedikti XVI – kishte kontraste të theksuara ndërmjet
papatit e perandorisë, që morën pamjen e ndeshjes, e cila u bë e njohur si ‘lufta
për ipeshkvijtë’. Ishte pra ndeshje e ashpër ndërmjet dy palëve: papatit e perandorisë.
Të dyja palët pretendonin parinë në zgjedhjen dhe në shugurimin e ipeshkvijve: “Ruperti
na mëson se, kur lindin mosmarrëveshje në Kishë, mbështetja tek Papa garanton besnikërinë
ndaj doktrinës së drejtë dhe i jep shpirtit paqe e liri”. Ruperti – vijoi
Papa – la shumë vepra, me interes të madh edhe për ditët tona. E kjo, sepse mori pjesë
gjallërisht në shumë diskutime të rëndësishme teologjike të kohës. Për shembull, ndërhyri
vendosmërisht në mosmarrëveshjen eukaristike, lindur në gjirin e Kishës, për të kundërshtuar
shpjegimin, që e kufizonte praninë e Krishtit në Sakramentin e Eukaristisë. Ruperti
– pohoi Papa – mbrojti vendosmërisht të vërtetën eukaristike, duke pohuar se Korpi
i Fjalës së Mishëruar, i Krishtit, është i pranishëm nën Trajtën eukaristike të bukës
e të verës. E këtu Papa, duke u shkëputur nga teksti zyrtar, vuri theksin mbi vlerën
e madhe aktuale, që ka mësimi i murgut Rupert mbi Eukaristinë: “Edhe
sot ekziston rreziku për ta kufizuar realizmin eukaristik, duke e konsideruar gati-gati
si të ishte thjesht rit kungimi, shoqërizimi. Harrojmë tepër shpejt se në Eukaristi
Krishti i ngjallur është i pranishëm me të vërtetë, me Korpin e tij të ngjallur, që
lëshohet në duart tona, për të na nxjerrë nga vetvetja e për të na bërë një trup i
vetëm me Korpin e tij të pavdekshëm, duke na prirë, kështu, drejt jetës së re”. Një
mosmarrëveshje tjetër, për zgjidhjen e së cilës u përpoq murgu mesjetar, ishte edhe
ajo e pajtimit të mirësisë e të gjithëpushtetit të Zotit, me ekzistencën e së keqes.
Ruperti u kundërvihet të gjithë atyre që, duke u mbështetur në arsyetime filozofike,
arrinin në përfundimin se Zoti e lejon të keqen, pa e miratuar e, prej këndej, edhe
pa e dëshiruar. Në këtë rast Ruperti – shpjegoi Papa – heq dorë nga filozofia, të
cilën e gjykon si të papërshtatshme, përballë një problemi kaq të madh, duke i qëndruar
besnik rrëfimit biblik: “Ai niset nga mirësia e Zotit, nga e vërteta se Zoti
është e mira e pambaruar e nuk mund të dojë tjetër, veç së mirës. Kështu ai e zbulon
zanafillën e së keqes tek vetë njeriu e tek përdorimi i gabuar i lirisë njerëzore”. Ruperti
– tha në vijim Papa – e lavdëron mëshirën e pambaruar të Atit, duresën e dashamirësinë
e Hyjit për njerëzimin mëkatar. Ashtu si teologët e tjerë të Mesjetës – vërejti Ati
i Shenjtë – edhe Ruperti i bëri vetes pyetjen e madhe: “Pse u mishërua Fjala e Zotit?”.
Përgjigjja e kësaj pyetjeje e çoi tek vizioni ‘kristocentrik i shëlbimit’, që është
në qendër të veprës së tij, titulluar “Lumnimi i Trinisë Shenjte”. Murgu benediktin…: “Mbron
tezën se Mishërimi , ngjarje qëndrore e gjithë historisë, qe parashikuar në amshim,
pavarësisht nga mëkati i njeriut, me qëllim që mbarë krijesa të mund t’i jepte lumni
Hyjit Atë e ta donte, si një familje e vetme, e mbledhur rreth Krishtit, Birit të
Hyjit”. Atëhere ai – vijoi Papa – shikon në gruan shtatzënë të Zbulesës,
mbarë historinë e njerëzimit, që shkon drejt Krishtit, ashtu si zënia shkon drejt
lindjes. Krishti – pohoi Ati i Shenjtë – është gjithnjë në qendër të shpjegimeve ekzegjetike,
që jep Ruperti në komentet e tij për Librat e Biblës: “Ai rigjen, kështu,
unitet mahnitës në të gjitha ngjarjet e historisë së shëlbimit, duke nisur nga krijimi
e deri në mbarimin e kohëve: ‘I gjithë Shkrimi Shenjt – pohon ai - është një libër
i vetëm, që shkon drejt të njëjtit fund, drejt Fjalës Hyjnore”. Duhet
theksuar, pastaj, se Ruperti nuk kufizohet vetëm duke përsëritur mësimin e Etërve
të Kishës, por sjell edhe shumë mendime të reja. Për shembull, është i pari që pa
Virgjërën Mari në Vashën e “Këngës së Këngëve”. Ky shpjegim marian i “Këngës së Këngëve”
– vërejti Papa – është një shembull i qëlluar i përkimit të teologjisë me liturgjinë.
Për Rupertin – shtoi Benedikti XVI – Maria është pjesa më e shenjtë e mbarë Kishës.
E për Virgjërën Papa foli edhe në çastin e përshëndetjes me shtegtarët: “Solemniteti
i Zojës së Papërlyer, që e kremtuam dje, na kujton se Maria e pranoi në mënyrë shembullore
planin shëlbues të Zotit. Të dashur të rinj, përpiquni t’i përngjisni me zemër të
pastërt e të kulluar, duke e lënë Zotin t’ju japë formë, që kështu të mund të kryejë
edhe në ju vepra të mëdha!”.