Benedikti XVI: jetëshkrim i shkurtër i Rupertit të Dojcit
(09.12.2009 RV)Quhej Ruperti i Dojcit. E Dojci ishte një qytezë pranë Këlnit,
seli e manastirit të famshëm benediktin. Ruperti vetë na flet për jetën e tij
në një nga veprat më të rëndësishme, titulluar “Lavd e nder Birit të njeriut”,
koment i pjesshëm i Ungjilit sipas Mateut. Ishte ende fëmijë, kur u pranua në
manastirin benediktin të Shën Lorencit pranë Liezhit, sipas zakonit që kishin familjet
e mëdha të kohës për t’ia besuar bijtë murgjërve benediktinë, duke e pasur në mend
t’ia dhuronin, më pas, Zotit. Rupertit i pëlqente pa masë jeta murgare. Shumë shpejt
mësoi gjuhën latine. Nisi të studionte me zell Biblën e të ndjente thellësisht kënaqësinë,
që buron nga kremtimet liturgjike. Iu desh të merrte pjesë drejtpërdrejt në mosmarrëveshjet
ndërmjet Kishës e perandorit për emërimin dhe shugurimin e ipeshkvijve. I lidhur ngushtë,
siç ishte, me Selinë e Shën Pjetrit, iu kundërvu ipeshkvit të Liezhit, Otbertit, që
vepronte në kundërshitim me direktivat e Papës. Ipeshkvi e internoi, së bashku me
abatin e tij, Berengarion, edhe ky besnik i Papës. U rikthye në manastirin e vet vetëm
atëherë, kur ipeshvi Otberti u pajtua me Papën. E menjëherë pas kësaj ngjarjeje, u
shugurua meshtar. E nisi kaq vonë misionin meshtarak thjesht sepse nuk deshi të shugurohej
nga një ipeshkëv që i kundërvihej Papës. Por, për fat të keq, ravgimet e tij
nuk mbaruan me kaq. Iu desh të largohej edhe dy herë të tjera nga manastiri. Në vitin
1116, kundërshtarët e tij arritën deri atje, sa deshën ta hidhnin në gjyq. Ndonëse
akuzat nuk u vërtetuan e ai doli krejt i pafajshëm, iu duk më e arsyeshme të vendosej
për ca kohë në Siegburg. Më pas, si u kthye përfundimisht në Gjermani, në vitin 1120
u emërua abat i Dojcit, ku vijoi të kryente misionin derisa vdiq, në fund të vitit
1129. U largua që aty vetëm një herë, kur shtegtoi në Romë, në vitin 1124. Shkrimtar
prodhimtar, na la një numër të madh veprash, ndërmjet të cilave “De divinis officiis”,
ku mbrojti vendosmërisht të vërtetën eukaristike, duke pohuar se Korpi i Fjalës së
Mishëruar, i Krishtit, është i pranishëm nën Trajtën eukaristike të bukës e të verës.
Shkroi edhe ‘De glorificatione Trinitatis et processione Sancti Spiritus” ;
“Canticum Canticorum” ; “Apocalypsem” e disa vepra të tjera, që mbeten
gjithnjë aktuale. Në komentin e ‘Këngës së Këngëve” shkruan për Zojën e Bekuar: “O
më e dashura ndërmjet të dashurave, Virgjër e virgjëreshave, ç’lavdëron në ty yt Bir,
që të këndojnë, kështu, koret e Engjëjve të Qiellit? Engjëjt i thurin lavde thjeshtësisë
sate, pastërtisë, pafajsisë, fesë, ndrojtjes, përvujtërisë, mendjes, zemrës, virgjërisë
sate të papërlyer”. Ruperti mbetet aktual. Na mëson si mund ta takojmë Jezusin,
që na shoqëron vazhdimisht, duke u bërë i pranishëm në Bukën eukaristike e në Fjalën,
të cilën na e drejton çdo ditë, për shëlbimin tonë!