2009-12-09 18:40:50

Atë Jeger: mbi statusin e Jeruzalemit vendos bashkësia ndërkombëtare


(09.12.2009 RV)RealAudioMP3 Kthehet në plan të parë të politikës ndërkombëtare çështja e statusit të Jeruzalemit. Bashkimi Evropian kërkoi dje që “Qyteti i Shenjtë” për hebrenjtë, të krishterët e myslimanët, të bëhet kryeqyteti i ardhshëm i dy shteteve, atij palestinez e atij izraelit. Por propozimi nuk u pëlqen asnjërës prej palëve. Në mikrofonin tonë flet atë David Jeger, ekspert i gjendjes në Tokën Shenjte:
Rezolutat e Kombeve të Bashkuara ia rezervojnë vendimin përfundimtar për statusin e Jeruzalemit bashkësisë ndërkombëtare, për të qenë kështu të sigurtë se do të ruhen vlerat, të drejtat e interesat e ligjshme të qytetit, mbrojtja e të cilave nuk është e thënë të bëhet nga dy shtetet e interesuara.Selia e Shenjtë e ka mbështetur gjithnjë këtë orientim dhe shpreson që Jeruzalemi të ketë një status të veçantë, që të njihet nga Bashkësia Ndërkombëtare. Kjo kërkon një mjet juridik ndërkombëtar që duhet t’i kapërcejë marrëveshjet dypalëshe: të mbrojë lirinë e fesë e të ndërgjegjes; të sigurojë të njëjtin status juridik për të tria fetë monoteiste, për institucionet dhe ndjekësit e tyre; të mbrojë karakterin e veçantë të Jeruzalemit dhe vendet e shenjta… Sido që të jetë, Izraeli dhe Palestina nuk mund të kenë pushtet mbi Jeruzalemin derisa të mos pranojnë Kombet e Bashkuara dhe të mos respektojnë planin e bashkësisë ndërkombëtare për atë vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.