2009-12-09 18:45:02

Ambasadori OSB-së Bosch:në Shqipëri korrupsioni mbetet problem


(09.12.2009 RV)Pavarësisht se janë marrë masa të guximshme, korrupsioni mbetet problem në Shqipëri. Vonesat në luftë ndaj këtij fenomeni sjellin pengesa në integrimin e Shqipërisë.
Deklarata është bërë nga ambasadori i OSBE-së, në vendin tonë, Robert Bosch gjatë një konference “Bashkë kundër korrupsionit”, në ditën kundër këtij fenomeni, ku ai sugjeroi që korrupsioni të luftohet me gjykata të pavarura.

“Pavaresisht se janë vërejtur hapa para, janë marrë masa të guximshme kundër korrupsionit, por megjithatë nisur dhe nga disa raporte të kohëve të fundit, korrupsioni mbetet mbizoterues në shumë sektor të jetës në Shqipëri".
Diplomati theksoi se korrupsioni evidentohet qartë në disa sektorë ku nuk ka aspak transparencë. “Dua të them që problemi i parë është mungesa e transparencës për të përcaktuar qartë të drejtat e pronës, shqetesim mbetet edhe transparenca e financimit të partive”, theksoi Bosch.

“Edhe pse kodi e parashikon dhe QZ ka per detyre të bëjë balance, i mungojne instrumentat për të hetuar burimin e financimit të partive. Po kështu angazhimi i disa institutcioneve në luftën kundër korrupsionit, shpesh here nuk reflektohet në menyren e duhur per zbatimin e ligjit”, shtoi Bosch.

"Korrupsioni rrit informalitetin, taksat duke dëmtuar kështu shtresën e mesme dhe të varfër të popullsisë. Kjo ditë duhet të shërbejë për të krijuar një shoqëri llogari-dhënëse", u shpreh Bosch.

Për të luftuar këtë fenomen në shumë sektorë të jetës në vend, diplomati mendon se duhet një gjyqësor i pavarur plotësisht nga politika dhe segmente të tjera.

“Lufta nuk mund të fitohet pa një gjyqësor funksional. Gjyqësori shqiptar duhet te jete plotesisht i pavarur. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga ndikimet politike, por dhe gjyqtarët nuk mund të blihen apo tu bëhet presion nga palët në gjykim. Kohët e fundit kemi parë nje mungese transparence ne trajtimin e rasteve te dyshuara për korrupsion, kjo i sjell gjyqesorit nje reputacion të keq. Krijon një hije dyshimi për personat e pafajshëm të cilet janë akuzuar për korrupsion. Nuk duhet në asnjë mënyrë t’u bëhet presion gjyqtarëve. Ata nuk mund të blihen dhe politika duhet të rrijë larg sistemit gjyqësor”, u shpreh Bosch gjatë konferencës “Bashkë kundër korrupsionit”.

Shefi i OSBE-së në vendin tonë, ka veçuar edhe rolin e medias në luftën kundër korrupsionit. “Media të denoncojë korrupsionin, por mos të marrë rolin e gjyqësorit”, theksoi ai.

Takimi, i cili u organizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, drejtohet nga Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla dhe Ambasadori i Prezencës së OSBE në Tiranë, z. Robert Bosch. Janë ftuar të përshëndesin edhe Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave, z. Arben Doçi, Drejtori i Departamentit Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave, z. Oerd Bylykbashi dhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Njësisë Task-Force Antikorrupsion, z. Arben Kraja dhe z. Altin Dumani. nga BalkanWeb







All the contents on this site are copyrighted ©.