2009-12-08 13:46:34

“Zënia e papërlyer e Marisë” është një nga festat më të bukura e më popullore të Zojës së Bekuar”


(08.12.2009 RV)Maria, jo vetëm që nuk bëri asnjë mëkat, por prej Zotit ajo u ruajt edhe nga mëkati i rrjedhshëm, trashëgimí e përbashkët e gjithë gjinisë njerëzore. Zoti e kishte caktuar Marinë: të ishte Nëna e Shëlbuesit. E këtë e përmban e vërteta e fesë që flet për të Papërlyerën e fjala që Engjëlli i drejton Marisë ‘Hirplote’ në origjinalin grek kecharitoméne - është emri më i bukur i Marisë, emër që ia ngjiti vetë Zoti, për të treguar se është gjithnjë e përgjithmonë e dashura e zgjedhur për të pranuar dhuratën më të çmuar, Jezusin, “dashurinë e mishëruar të Hyjit”.

Mund të na lindë pyetja: pse ndërmjet të gjitha grave, Hyji e zgjodhi pikërisht Marinë e Nazaretit? Përgjigja e kësaj pyetjeje fshihet në misterin e pamatshëm të vullnetit hyjnor, por edhe se Ungjilli që vë në dukje një arsye të kësaj zgjedhjeje: përvujtërinë e Marisë. E këto mund të kujtojmë Papën Benediktin XVI i cili më 8 dhjetor 2006 citoi në ‘Komedinë Hyjnore’ të poetit të madh Dante Aligerit e pikërisht Këngën e fundit të Parajsës, në të cilën shkruhet: “Virgjër e Nënë, ti bija e tënd Bir, / ti e përvujtë dhe e lartë përmbi krijesat të tëra/…E më pas Papa kujtoi se vetë Virgjëra Mari, në himnin e Madhërimit - ‘Magnificat’, thotë: “Shpirti im e madhëron Zotin… sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë”. Pra Zotin e tërhoqi pikërisht përvujtëria e Marisë, që gjeti hir para syve të tij e kështu u bë Nëna e Hyjit, figurë e model i Kishës, e zgjedhur ndër popuj për të marrë bekimin e Zotit e për ta përhapur mbi gjithë familjen njerëzore.

Maria e pranoi Jezusin me fe e ia dhuroi botës me dashuri. Kisha na mëson se ky është edhe misioni për çdo të krishterë, kjo është edhe thirrja jonë e misioni ynë, thirrja e misioni i Kishës: ta pranojmë Krishtin në jetën tonë e t’ia japim njerëzimit e botës, që njerëzimi dhe bota të shëlbohen përmes Tij.

Kisha sot na fton ta shikojnë festën e sotme të Zojës së papërlyer si një fanar që ndriçon Kohën e Ardhjes, kohë në të cilën, vigjilentë e plot besim, presim ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht e Marinë, si shenjë të ndritur e të sigurtë shprese e ngushëllimi për popullin e Zotit në shtegtim drejt cakut të jetës. Urojmë që Maria t’i nxisë besimtarët për ta pritur plot besim Shëlbuesin që vjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.