2009-12-07 16:15:36

Rënia e murit të Berlinit dhe ideali evropian i 8 dhjetorit të Shqipërisë


(07.12.2009 RV)Dita e Rinisë, 8 dhjetori i vitit '90, konsiderohet nga të gjithë shqiptarët si dita e lirisë, ku studentët dhe intelektualët rrëzuan murin komunist, të fundmin që mbante të ndarë Evropën Lindore dhe atë Perëndimore.
Regjimi komunist i konsideroi protestat e atëhershme si "anti-miting", ndërsa protestuesit morën epitete nga më të ndryshmet. Më 8 dhjetor 2009 në sheshin " Skenderbej" do të festohet me madhështi " rënia e murit të Berlinit" në Tiranë. 8 dhjetori do të jetë një festë, për të përkujtuar jo vetëm 20 vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, por dhe të 19 vjetorit të krijimit të pluralizmit në Shqipëri.
Në një rikthim në kohë, në vitet '90, "Murin e Berlinit" në Tiranë e rrëzuan mijëra të rinj që arritën të kalonin përmes hekurave të ambasadave, ndërsa në memorien e kombit mbetet i paharruar mitingu i organizuar, për të dënuar heronjtë e vërtetë të asaj lëvizjeje pluraliste.
Më datë 8 dhjetor të vitit '90, studentët e universitetit të Tiranës organizuan demonstratën më të fuqishme, që do të sillte shembjen përfundimtare të "Murit të hekurt të Tiranës". Por ndërkohë, në ato muaj lëvizjeje dhe shpëtimi prej totalitarizmit, në disa sheshe të vendit të rinjtë u etiketuan nga kasta në fuqi si "tradhtarë".
Në vitet '90 ata morën këtë epitet, ndërsa protestat e tyre "anti-miting". "Ndërsa përsëri sot opozita festën e parashikuar më 8 dhjetor e cilëson " si antimiting", - është shprehur Kryeministri Berisha, përgjatë një deklarate për shtyp të datës 23 nëntor 2009.
Kryeministri i Shqipërisë ka vijuar më tej se, "8 dhjetori 2009, do të jetë festa e shembjes së "Murit të Berlinit" në Tiranë. Ajo do të jetë një festë e madhe, një festë në të cilën do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria", tha Berisha, ndërsa ka shtuar se kjo datë "do të jetë një festë për Evropën, për aspiratën tonë evropiane, e cila mori në 16 nëntor të këtij viti, thirrjen e të gjitha vendeve anëtare të BE. Vendimi i 16 nëntorit është vendimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pra, në qoftë se dje, para këtij vendimi, çështjet dhe marrëdhëniet kontraktuare kanë qenë në kuadrin e asociimit, tashmë kemi të bëjmë me procesin e anëtarësimit".
Ndryshe nga një vit më parë, festa që do të organizohet në kuadër të kësaj dite, e cila është njëherazi Dita e Rinisë, është festa e parë që i gjen shqiptarët dhe Shqipërinë me idealin euroatlantik të realizuar.
Sipas Kryeministrit shqiptar, "pasi shembëm "Murin e Berlinit", historia na dha mundësi që të shndërrojmë në realitet këtë ëndërr të madhe. Kjo ndodhi për faktin e thjeshtë se ne besonim realisht tek kjo ëndërr dhe ne e realizuam atë. Kështu që ky 8 dhjetor, idealin evropian, idealin euroatlantik, e gjen më të fuqishëm se kurrë në Shqipëri".

- Heshtja e Murit të Berlinit dhe vrasja e Çausheskut-
Rënia e "Murit të Berlinit" u mbajt e fshehur nga propaganda e regjimit komunist të kohës, ndërsa shqiptarët e mësuan ngjarjen e madhe përmes televizioneve italiane apo radiove të huaja që i dëgjonin fshehurazi. Por më shumë se, "Muri i Berlinit", në Shqipëri pati jehonë, ekzekutimi i liderit komunist rumun, Nikolaie Çaushesku.
Ndikimi i këtyre ngjarjeve në politikën shqiptare të kohës, do të kulmonte rreth një vit më vonë, kur në dhjetor të vitit 1990 nën presionin e popullit, regjimi u detyrua pas 45-vitesh, të lejonte pluralizmin politik.
Në Shqipëri të humtë janë ata që e mbajnë mend 9 nëntorin e vitit '89, ditën kur berlinezët dhe mijëra gjermanë, shembën Murin që prej gati 3 dekadash e ndante qytetin në dy pjesë, por edhe jetët e tyre të kufizuara.
Të nesërmen, gazeta e Partisë së Punës "Zëri i Popullit", në 2 prej 4 faqeve të saj njoftonte pritjet dhe darkat që jepeshin në Tiranë për nder të ministrit të Jashtëm të Kubës në një vizitë zyrtare 1-javore në Shqipëri. Gjatë asaj jave në faqet e saj shkruhej gjithë protokolli dhe frazat klishe propagandistike për vizitorin kuban, por asnjë rresht për "Murin e Berlinit".
Pjesa tjetër e gazetave si "Zëri i rinisë", "Bashkimi" apo "Drita", asokohe filluan disa përpjekje emancipuese të lidhura më shumë me kulturën, por edhe ato të shkruara në mënyrë të vetëcensuruese.
Për pjesën më konservatore të Partisë së Punës kjo ngjarje ishte një përfundim logjik, ndërsa elementët më të përparuar mendonin se po thyheshin barrierat e mëdha që kishin ndarë botën..
Spartak Ngjela, si ish i burgosur politik ka rikujtuar se, "me rënien e Murit të Berlinit në burgun e Burrelit kishte lindur shpresa edhe për shkak të lëvizjes së Gorbaçovit. Ne kishim ndjerë tronditjen e Tiranës. Reformat e Moskës dhanë shpresë në një vend ultrakomunist si Shqipëria. Në burg te ne qarkullonte mendimi se ndarja e Gjermanisë dhe ndarja e Shqipërisë prej Kosovës kanë të njëjtin fat".
Ndërsa për Shpëtim Çaushin, i cili ka mbajtur postin e ambasadorit të Shqipërisë në Bon të Gjermanisë, deri pak javë përpara se të binte Muri i Berlinit është shprehur për BBC-në se, "në Tiranë pati një farë mpirjeje. Udhëzimet që vinin nga Ministria e Jashtme u bënë më të rralla. Tirana zyrtare në ato momente pothuaj nuk u ndje. Na sugjerohej të thoshim se Shqipëria nuk bën pjesë as në Lindje dhe as në Perëndim dhe se duhej trajtuar ndryshe".
Ekzekutimi i Çausheskut në mesditën e 25 dhjetorit 1989, në puçin ushtarak të organizuar nga gjeneralët e ushtrisë rumune, do të shkaktonte realisht tronditje, në regjimin totalitar të Tiranës.
Për liderët komunistë shqiptarë, ekzekutimi i tyre në murin e garnizonit ushtarak, por edhe pamjet që u transmetuan nga televizionet në mbarë botën, "do të hiqte jetë paralele", ndër kuadrot më të larta të Byrosë Politike Shqiptare duke menduar për një fund të shpejtë, po aq të ngjashëm.
Fundi i pritshëm i jetës së çiftit Çaushesku, në më pak se dy muaj nga rënia e Murit të Berlinit, rriti shpresat e gjithë shqiptarëve, ndërsa filluan të ndiheshin lehtësirat e masave shtrënguese. Perëndimi dukej se kishte mundur Lindjen komuniste, duke shënuar njëherazi edhe fundin e Luftës së Ftohtë.
Goditjet përfundimtare regjimi komunist shqiptar do ti merrte në korrikun e vitit '90, kur u rrëzuan apo u kaluan kangjellat e mureve të ambasadave të huaja në Tiranë. Më tej do të vijonte largimi i shkrimtarit Ismail Kadare, i cili do të kërkonte strehimin politik në muajin tetor të po atij viti.

Me 04 nëntor 1990 nga prifti shkodran dom Simon Jubani kremtohet në varreza të Shkodrës Mesha e parë publike. Kremtimi i kësaj Meshe shënoi rënien e regjimit të diktaturës ateiste komuniste dhe rifitimin e lirisë njerëzore e fetare dhe të demokracisë në Shqipëri. Dom Simon Jubani njihet si një nga qytetarët dhe meshtarët që ka vuajtur gjithë jetën i persekutuar në burgjet komuniste dhe si ai që sfidoi regjimin e diktaturës ateiste e komuniste pikërisht me atë që kishin ndaluar e për çka ata kishin mbyllur Kisha e tempuj dhe vra priftërinj e qytetarë besimtarë në Zotin, i sfidoi me aktin më të shenjtë të krishterë, me kremtimin e Eukaristisë, me praninë e Krishtit Zot. Kështu data e 4 nëntori 1990, që mbeti i paharruar në mendjen e zemrën e shkodranëve e të të gjithë shqiptarëve, që nuk e kishin harruar Zotin, pas një gjysëm shekulli ateizmi shtetëror. Një grup i vogël besimtarësh, në sa pastronin, nën një shi të imtë vjeshte, varret e të dashurve, të thyera e të përdhunuara, në prag të shkatërrimit të plotë, panë të mahnitur një meshtar që ngjitej në elterin e sajuar me një tryezë të thjeshtë, në kapelën e djegur të Varrezës e që fillonte kremtimin e Meshës, ende nën diktaturë. Ishte dom Simon Jubani, i cili kujton në mikrofonin tonë, ngjarjet që do të pasonin atë ditë të madh.
Po përfundimisht "Muri i Tiranës" u shkatërrua në 8 dhjetorin e vitit 1990.
Protestat e mbarë shqiptarëve u memorizuan në kalendarin historik shqiptar. Lëvizja anti-komuniste, krijoi profilin e panjohur deri atëherë; atë të pluralizmit politik përballë një partie "të hekurt" që ishte e vendosur me çdo kusht të shtypte me gjak çdo protestë që zhvillohej kundër tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.