2009-12-07 18:33:41

Rumani: fitore e ngushtë për Baseskun, që akuzohet për manipulime


(07.12.2009 RV)Përfundoi ballotazhi për zgjedhjet presidenciale në Rumani. Një natë me shumë pasiguri i dha një fitore të ngushtë Trajan Baseskut, i cili është presidenti aktual dhe kandidati i së djathtës. Basesku mori 50,37% të votave, ndërsa rivali i tij social-demokratik, Mirça Xhuana 49,63%. Partia Social-demokratike e akuzon për manipulime presidentin në fuqi, por ky qëndrim nuk mbështetet nga OSBE-ja, e cila ka deklaruar se zgjedhjet janë zhvilluar sipas standarteve.
Ish-kapiten i marinës, politikan karizmatik e i dashur për popullin, 58 vjeçari Basesku ka qenë më parë edhe ministër transportesh e kryetar bashkie i Bukureshtit. Ka përpara sfidën e zgjidhjes së krizës politike dhe institucionale, që vazhdon prej vitesh. Duhet edhe të nxjerrë nga vështirësitë ekonominë e vendit, penguar nga një tregues i lartë kriminaliteti dhe korrupsioni. Prej vitesh, bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një kredi prej 20 miliard eurosh kanë mbetur në vendnumëro.







All the contents on this site are copyrighted ©.