2009-12-07 18:30:58

Papa në Engjëllin e Tënzot të së Dielës II të Ardhjes nënvizoi se Kisha ka nevojë të pastrohet vazhdimisht; kujtoi edhe Konferencën e OKB-së për klimën.


(07.12.2009 RV)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, mbajtur si zakonisht në Sheshin e Shën Pjetrit, në të Dielën II të Kohës së Ardhjes, Papa kujtoi Konferencën e OKB-së mbi ndryshimet klimaterike, që u hap sot në Kopenhagë. Ati i Shenjtë kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të impenjohet më shumë e, sidomos, në favor të të varfërve e të breznive të ardhshme. Duke komentuar fragmentin e djeshëm ungjillor, Benedikti XVI ripohoi se Fjala e Zotit është gjithnjë në qendër të historisë së njeriut. Kujtoi edhe se mëkati u ngre kurthe njerëzve të Kishës, e cila ka nevojë të pastrohet vazhdimisht. Së fundi bëri thirrje në ndihmë të familjeve me shumë fëmijë.

 
Në fillim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u ndalua posaçërisht tek liturgjia e së Dielës së dytë të Kohës së Ardhjes, që vë në qendër të vëmendjes, Gjon Pagëzuesin, pararendësin e Mesisë. Shën Luka ungjilltar – vërejti Papa – skicon me saktësi të madhe përmasat e hapësirës e të kohës së predikimit të tij. E ky është fakt, që nuk mund të mos e tërheqë vëmendjen tonë:
“Me sa duket Ungjilltari dëshiron ta sqarojë atë që e lexon ose e dëgjon, se Ungjilli nuk është legjendë, por rrëfim i një historie të vërtetë e se Jezusi i Nazaretit është figurë historike, që jetoi pikërisht në këto rrethana”.
Elementi i dytë, i denjë për t’u theksuar – tha Papa – është se pas kësaj hyrjeje historike, kjo vetje bëhet 'Fjala e Zotit’ dhe paraqitet si forcë, që zbret nga lart, e qëndron mbi kokën e Gjon Pagëzuesit. E pikërisht për këtë ngjarje reflektoi Benedikti XVI, duke cituar një shkrim të Shën Ambrozit, festa liturgjike e të cilit u kremtua sot:
Fjala e Zotit është vetje, që vë në lëvizje historinë, frymëzon profetët, ia përgatit rrugën Mesisë, mbledh Kishën. Vetë Jezusi është Fjala hyjnore, që u bë njeri në kraharorin virgjëror të Marisë; në Të Hyji u dëftua plotësisht, na tha e na dha gjithçka, duke na hapur thesaret e vërtetësisë e të mëshirës së tij”.
Vijon akoma Shën Ambrozi në komentin e vet:
“Zbriti, pra Fjala, me qëllim që toka, e cila më parë ishte shkretëtirë, të prodhonte frytet e veta për ne”.
Prej këndej Papa kujtoi Virgjërën Mari ‘fryt i parë i Kishës”, ‘lulishte e Hyjit mbi tokë”:
“Por ndërsa Maria është e papërlyer – e kështu do ta kremtojmë nesër – Kisha ka nevojë të vazhdueshme të pastrohet, sepse mëkati i ngre kurthe të gjithë anëtarëve të saj. Në Kishë vijon pa prerë lufta ndërmjet shkretëtirës e lulishtes, ndërmjet mëkatit, që e than tokën, e hirit, që e vadit, për të prodhuar fryte të begata shenjtërie”.
Papa u kërkoi besimtarëve të luten, që Virgjëra Mari, Nëna e Zotit, të na ndihmojë në këtë Kohë të Ardhjes t’i drejtojmë udhët tona, duke ia hapur në shpirt shtegun Fjalës së Zotit.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, që kishin mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit, duke folur në gjuhën frënge, përshëndeti drejtuesit e Bashkësisë së Shën Egjidit, të cilët këto ditë po reflektojnë për problemet e mprehta aktuale të moshës së tretë, domethënë të njerëzve, që i kanë kaluar të gjashtëdhjetë e pesat.
Më pas falënderoi besimtarët e Polonisë dhe të gjithë ata që, në mbarë botën, luten për ‘Kishën e Evropës lindore, e cila vijon të përtërihet”.
Në përfundim, në gjuhën italiane, një përshëndetje tejet e përzemërt drejtuar ‘Shoqatës së familjeve me shumë fëmijë”, që punon me moton: “Sa më shumë foshnje për të ardhmen”:
“Të dashur miq – u tha Papa – lutem për ju, që Provania hyjnore t’ju shoqërojë në gëzime e në të vështira dhe uroj t’ju mbështesin gjithnjë politika të suksesshme, që i ndihmojnë familjet, posaçërisht ato me shumë fëmijë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.