2009-12-07 18:31:39

Kardinali Rikard, zëvendës-president i Ccee, takohet me Patrikun e Moskës Kirill.


(07.12.2009 RV)“Është urgjente të bashkojmë forcat tona, njëherësh me njerëzit vullnetmirë, për të promovuar humanizmin e vërtetë, mbartëse e të cilit është feja e krishterë. Kështu u shpreh kardinali Zhan-Pierr Rikard, kryeipeshkëv i Bordosë e zevendës-kryetar i Këshillit të konferencave ipeshkvnore të Evropës (Ccee), gjatë takimit me Patrikun e Moskës, Kirill, të enjten e kaluar, në kryeqytetin rus.
Gjatë këtij takimi, të shumëdëshiruar nga ky i fundit – nënvizon gazeta vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, pasi u fol për marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira të Kishës katolike në Francë me Kishën ortodokse ruse, u hodhën themelet për bashkëpunim të mëtejshëm përballë sfidave të reja të shekullarizimit, të cilave - theksoi Patriku i Moskës – duhet t’u përgjigjemi së bashku, duke u mbështetur mbi përvojën tonë historike.
Kardinali Rikard kryesonte një delegacion, në të cilin bënin pjesë edhe tre ipeshkvij të tjerë francezë. Edhe nga pala ortodokse ruse ishin të pranishëm disa nga personalitetet më të larta kishtare.
Ne – theksoi Patriku i Moskës – i kushtojmë vëmendje të madhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet Kishës katolike në Francë dhe Kishës ortodokse ruse. Në vijim kujtoi ngjarjen historike të kohëve të fundit, hapjen e seminarit të parë ortodoks rus në Francë, e pikërisht në Epinej-su-Senar, në Eson. Ky seminar – vijoi Patriku rus – do të krijojë kushtet jo vetëm për të formuar priftërinj në shërbim të bashkësive tona jashtë vendit, por edhe për t’i pasuruar dioqezat ruse me njerëz që, ndërmjet tjerash, e njohin mirë jetën fetare e kulturore të Evropës perëndimore si dhe teologjinë e Kishës katolike.
Patriku – shkruhet në ‘Osservatore Romano’ shprehu edhe shqetësimin e tij për emigrantët e ish-Bashkimit Sovjetik në Evropën perëndimore, duke nënvizuar se Kisha ruse mund t’i ndihmojë në procesin e integrimit të tyre në shoqëritë vendase".







All the contents on this site are copyrighted ©.