2009-12-07 18:32:19

192 kombe në Konferencën e Kopenhagës mbi klimën për të shpëtuar botën


(07.12.2009 RV)Me një film mbi popullsitë e botës, që e pësojnë më shumë nga ndryshimet klimaterike, filloi sot në Kopenhagë të Danimarkës mbledhja e shumëpritur e OKB-së mbi klimën. Mijëra, personalitetet e pranishme, që përfaqësojnë 192 anëtarët e Kombeve të Bashkuara, në kërkim të një marrëveshjeje kundër gazeve serë, të denjë për të zëvendësuar protokollin e Kiotos, i cili skadon vitin e ardhshëm. Mëse 100, krerët e qeverive që marrin pjesë në takim, ku do të shkojë edhe presidenti amerikan Barak Obama. Zvogëlimi i sasisë së dioksidit të karbonit në ajër, por edhe përpjekjet për të ndalur ngritjen e temperaturave që t’u vihet fre dëmeve të deritanishme: shkrirja e akullnajave, ngritja e nivelit të oqeaneve, dezertifikimi i zonave dikur pjellore, përmbytje e uragane. Nga njëra anë, vendet e industrializuara vendosin kufizime, nga ana tjetër, vendet në zhvillim si Kina, India e Brazili kërkojnë ndihmë për ta kthyer teknologjinë në industri të pastër për ambientin. Sipas diskutimeve të sotme, do të duhen rreth dhjetë miliard dollarë çdo vit, për tri vitet e ardhshme, që të plotësohen nevojat më urgjente të vendeve më në rrezik. E jehonë të madhe patën në Kopenhagë edhe fjalët e Papës Benedikti XVI, i cili gjatë Lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të marrë masa urgjente dhe konkrete kundër ngrohjes globale. Ta dëgjojmë:
“Mbrojtja e Krijimit kërkon me ngulm zgjedhjen e stileve të përkora të jetës e përgjegjësi, sidomos për të varfërit e për brezat e ardhshëm. Në këtë perspektivë, për t’i garantuar sukses të plotë konferencës, ftoj të gjithë njerëzit vullnetmirë të respektojnë ligjet e Zotit për natyrën dhe të rizbulojnë përmasën morale të jetës njerëzore”.
Por cila është gjendja shëndetësore e planetit tonë? Të dëgjojmë një nga klimatologët më të shquar italianë, studiues i Këshillit Kombëtar të kërkimeve, prof. Xhampiero Maraki:
Nëse shohim shifrat është mjaft e keqe, por kjo nuk ndodh vetëm sot, në vitin 2009, ka filluar në fund të viteve ’80. Klima është ndoshta një nga efektet më të qarta, por ka shumë elemente të dyshimta e për më tepër ka një të dhënë specifike, që i referohet qëndrueshmërisë së planetit, edhe përsa i përket burimeve natyrore, e planeti nuk është më i qëndrueshëm që nga vitet ’90.
Në Kopenhagë do të miratohet një dokument, i cili duhet të zëvendësojë protokollin e Kiotos, duke parashikuar reduktimin e mëtejshëm të dioksidit të karbonit. Cili është kufiri i drejtë, që duhet fiksuar për të?
Kufiri vazhdon të jetë ai i protokollit të Kiotos. Nuk duhet vetëm ta gjejmë këtë kufi, por duhet të kuptojmë edhe si mund të mbahet ai. Akoma është e mundur ta shpëtojmë botën përmes sjelljes sonë të përgjegjshme. Unë kam mjaft besim në arsyen njerëzore. Shohim se edhe vendet e mëdha, që po zhvillohen kohët e fundit, si Kina dhe India, po fillojnë t’i kuptojnë difektet e një modeli të caktuar, prandaj – siç tha Papa dje – duhet ta ndryshojmë me vullnet të mirë këtë model.
Cili është rezultati konkret që prisni nga takimi i Kopenhagës, i cili do të përfundojë më 18 dhjetor?
Impenjime mundësisht të përcaktuara mirë në kohë e jo një shtyrje deri në vitin 2030 ose 2050, sepse do të ishte shumë vonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.