2009-12-05 16:07:33

Nesër fillon mbledhja e Kopenhagës mbi klimën. Atë Lombardi: kujdesi për ambientin është përgjegjësi e vendeve të pasura për të varfërit


(05.12.2009 RV)RealAudioMP3 Jemi në prag të një prej takimeve ndërkombëtare më të pritura për këtë vit. Të hënën fillon Konferenca botërore e Kopenhagës mbi klimën, e cila do të përfundojë më 18 dhjetor. Presidenti amerikan Barak Obama deklaroi se do të marrë pjesë edhe në mbylljen e punimeve, në çastin kur do të shihen rezultatet e një debati, që parashikohet jo i lehtë. Në editorialin e sotëm, drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi reflekton mbi pasojat që mund të kenë mbi planetin vendimet e marra në këtë mbledhje të rëndësishme:
Kohë më parë shqetësimet për ambientin e për klimën, shumë personave u dukeshin luks. Shqetësime të pasurish! Të tjera ishin problemet e të varfërve, që duhej të mbijetonin e të plotësonin nevojat themelore. Pastaj, e kuptuam se gjërat ishin ndryshe. Kur kemi thatësirë, ose kur ndodhin fatkeqësi natyrore, të varfërit janë të parët që vuajnë e vdesin. Kush jeton në vende më të sigurta, ose ka më shumë mundësi për t’u ushqyer e për t’u mbrojtur, mund ta përballojë më mirë keqësimin e kushteve ambientale. Pra për të gjithë, por për të varfërit së pari, duhet të kujdesemi për gjendjen shëndetësore të planetit. Dhe planeti është si një organizëm, ku çekuilibrimet pasqyrohen tek njëri-tjetri. Ndryshimi i përbërjes së atmosferës, ngritja e nivelit të deteve, reduktimi i rezervave të ujit të pijshëm e të pandotur, ndryshimi i shirave dhe i uraganeve, erozioni i tokës dhe kthimi i saj në shkretëtirë, dëmet në bujqësi e në shëndetin e njeriut… E gjithë kjo varet në fund të fundit nga sjelljet e vendimet e njeriut.
Konferenca e Kopenhagës mbi klimën do të konsiderohet sukses apo dështim, sipas impenjimeve që do të marrin qeveritë, sidomos vendet më të fuqishme e më të mëdha. Do të shqiptohen numra “magjikë” mbi reduktimin e emetimit të gazeve të dëmshme e mbi financimet që duhen. Por, në fund të fundit, gjithçka do të varet nga shuma e sjelljeve të të gjithë ne, banorëve të Tokës, të mësuar pak si keq t’ia shkarkojmë përgjegjësinë të tjerëve, duke e ndjerë veten shumë të zgjuar për këtë. Në enciklikën e fundit, Papa me të drejtë flet për “mënyra të reja jetese” dhe kujton se sistemi ekologjik mbahet nga marrëdhëniet e mira të njeriut me natyrën, por edhe me të tjerët. Pra, ai i Kopenhagës është edhe problem i yni!







All the contents on this site are copyrighted ©.