2009-12-05 16:07:47

Ipeshkvijtë e Shqipërisë: Kisha nuk përfaqëson dhe nuk përfaqësohet nga asnjë parti, apo forcë politike


(05.12.2009 RV)Ditët e fundit në disa media dhe agjenci të ndryshme informacioni në Shqipëri është folur për pjesëmarrjen e katolikëve në qeveri me terma të tillë si për shembull: Partia Demokristiane e cila përfaqëson katolikët në Shqipëri është eleminuar nga qeverisja, apo  «mospjesëmarrja e Partisë Demokristiane në parlament e qeverisje i ka krijuar probleme serioze përfaqësimit të komunitetit katolik në skenën politike shqiptare.»
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, nëpërmjet Zyrës së Shtypit, sqaron opinionin publik shqiptar se katolikët në Shqipëri nuk mund të jenë të përfaqësuar kurrsesi nga një parti politike sikurse në rastin konkret është Partia Demokristiane e Shqipërisë. Doktrina sociale e Kishës në këtë pikë është shumë e qartë kur thotë se «…Kisha respekton autonominë e ligjshme të rendit demokratik dhe nuk ka titull të shprehë parapëlqimet për njërën apo tjetrën zgjidhje institucionale apo kushtetuese dhe nuk ka as detyrën të hyjë në meritë të programeve politike, përveçse në rastet kur ka implikime religjioze, apo morale» (Centesimus annus, 47 dhe Përmbledhja e Doktrinës Shoqërore të Kishës, 424) dhe se « …sa i përket militimit politik konkret … mund të ketë një numër të madh partish në të cilat katolikët mund të zgjedhin të militojnë për të ushtruar – veçanërisht nëpërmjet përfaqësimit parlamentar – të drejtën-detyrë të tyre në ndërtimin e jetës civile të vendit» (Nota doktrinore rreth disa çështjeve që i përkasin angazhimit dhe sjelljes së katolikëve në jetën politike, 3).
Mbështetur në këto dokumenta dhe traditën e saj Kisha nuk përfaqëson dhe nuk përfaqësohet nga asnjë parti, apo forcë politike.







All the contents on this site are copyrighted ©.