2009-12-04 16:35:04

Papa kryepeshkopit ortodoks Janullatos: në Shqipëri, të krishterët kanë mbajtur gjallë fenë duke e paguar me jetë. Të forcohet impenjimi ekumenik


(04.12.2009 RV)RealAudioMP3 Katolikë e ortodoksë të dëshmojnë sëbashku fenë e krishterë: ky është thelbi i fjalimit që mbajti Papa Benedikti XVI në audiencën me Kreun e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, kryepeshkopin Anastasios Janullatos, i cili nga ana e tij e quajti këtë vizitë historike. Në të vërtetë, është hera e parë që një delegacion i Kishës ortodokse të Shqipërisë vjen në Vatikan për t’u takuar me Papën e Romës. Benedikti XVI kujtoi me admirim shembullin e të krishterëve shqiptarë, që e mbajtën gjallë fenë gjatë viteve të komunizmit ateist si edhe gjurmët që ka lënë krishterimi në kulturën e shqiptarëve:
“Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, të krishterët në Shqipëri, si ortodoksë ashtu edhe katolikë, e mbajtën fenë gjallë pavarësisht nga regjimi ateist jashtëzakonisht shtypës dhe armiqësor; dhe, siç dihet, shumë të krishterë paguan me jetë mbrojtjen e fesë. Rënia e atij regjimi i hapi rrugën ringjalljes së bashkësive katolike dhe ortodokse në Shqipëri”.
Papa lavdëroi punën e bërë nga kryepeshkopi Janullatos për ngritjen e vendeve të kultit, formimin e klerit, katekizmin e tërheqjen e rinisë drejt vlerave të krishtera. Këto arritje i vuri në dukje edhe vetë kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, gjatë përshëndetjes që i drejtoi Benediktit XVI:
“Me hirin e fuqinë e Zotit, Kisha jonë ka rilindur dhe ka bashkuar të gjithë të krishterët ortodoksë në Shqipëri, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike. Ajo është rritur sistematikisht; duke forcuar jetën liturgjike, duke u lutur, duke bërë katekizëm e duke përkthyer e botuar literaturë të krishterë; duke formuar e duke shuguruar mëse 140 klerikë; duke ndërtuar 145 kisha të reja; duke restauruar 70 të tjera e duke riparuar 160 kisha dhe qendra kishtare; e mbi të gjitha duke bërë përpjekje këmbëngulëse për ta afruar brezin e ri me Krishtin. Njëkohësisht, ajo po jep kontribut aktiv në përparimin e shoqërisë shqiptare, përmes nismave në fusha si shëndetësia, arsimi, asistenca sociale, zhvillimi bujqësor dhe kultura”.
Një nga argumentet kryesore të audiencës ishte pa dyshim impenjimi i përbashkët në fushën e ekumenizmit. Papa përmendi shembullin e bashkëjetesës ndërmjet feve në Shqipëri, duke vënë theksin në dy iniciativa të rëndësishme, siç janë ngritja e Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale dhe krijimi i Komitetit për Marrëdhëniet Ndërfetare:
“Këto janë përpjekje të kohës – nënvizoi Ati i Shenjtë - për të nxitur mirëkuptimin e ndërsjelltë dhe bashkëpunimin e dukshëm, jo vetëm ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, por edhe ndërmjet të krishterëve, myslimanëve e bektashinjve”.
Nga të dyja palët u konfirmua impenjimi për të bërë ç’është e mundur që të krishterët të japin një dëshmi të përbashkët për Krishtin, në rrugën e vëllazërimit e të paqes. Kryepeshkopi Janullatos theksoi se ndjehet tejet i nderuar dhe i gëzuar për këtë takim me Papën Benedikti XVI dhe nënvizoi se bota e sotme ka nevojë për afrimin më të madh ndërmjet të krishterëve. Për këtë, theksoi ai në përshëndetjen drejtuar Atit të Shenjtë, nismat e dialogut teologjik, që kanë për qëllim pajtimin ndërmjet konfesioneve janë “detyrë themelore” për të gjithë krerët e Kishave.
Janullatos shoqërohet nga një delegacion i përbërë prej Mitropolitit të Korçës, peshkopëve të Apollonisë e të Krujës e të tjerë. Ata do të zhvillojnë takime edhe me krerët e Këshillit Papnor për nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve dhe do të vizitojnë vendet e kultit në kryeqytetin italian. Më 8 dhjetor, delegacioni do të largohet nga Roma.








All the contents on this site are copyrighted ©.