2009-12-04 18:21:15

Guinea Konakri: kreu i juntës ushtarake në fuqi shpëton nga një atentat.


(04.12.2009 RV)RealAudioMP3 Nën kontroll situata në Guinenë-Konakri, pas atentatit, viktimë e të cilit ishte kreu i juntës ushtarake, kapiteni Musa Dadis Kamara. Lideri guinean, në fuqi që me grushtin e shtetit, organizuar 11 muaj më parë, sipas burimeve senegaleze, u sulmua nga vetë trupat e tij, të komanduara nga një ish-bashkëpunëtori i ngushtë, Abubakar Diakite, i njohur me psedonimin “Toumba”.
Burime marokene bëjnë të ditur se për arsye thjesht humanitare, lideri i plagosur u strehua në Marok.
Mbi gjendjen shoqërore e politike të vendit, Xhuliano Baso, i organizatës jo qeveritare të bashkësisë së Misionarëve katolikë, shprehet kështu, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Është vendi i parë, që fitoi pavarësinë nga Franca, në vitin 1958, pikërisht sepse nuk pranoi propozimin e Parisit për të bërë pjesë në bashkësinë franceze, duke deklaruar se dëshironte më shumë pavarësinë, sesa pasurinë në skllavëri. Sot është një nga vendet më të varfëra, viktimë e korrupsionit dhe e përvetësimit të pasurive nga një grusht njerëzish, të shitur tek të huajt, tejet të interesuar për shfrytëzimin e burimeve të vendit.
Cila do të jetë ardhmëria e këtij vendi? Vështirë të thuhet duke u nisur nga ky atentat. Rëndësi ka të njihet qëndrimi i ushtarakëve, të kuptohet në se janë të përçarë apo të bashkuar. E në se janë të përçarë, kush është në favor të presidentit e kush dëshiron ta ndryshojë situatën. E akoma, në se bëhet fjalë për ndryshime, duhet ditur në ç’drejtim do të ndryshojë vendi. Kështu mund të themi se loja është vërtetë e rrezikshme e, sidomos, e fshehtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.