2009-12-04 14:07:44

Fjalim i Papës Benedikti XVI në audiencën me Fortlumturinë e Tij, kryepeshkopin Anastasios Janullatos


(04.12.2009 RV)Sot paradite, në orën 11.00, Papa Benedikti XVI priti në audiencë kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij Anastasios Janullatos, në krye të një delegacioni të Kishës Ortodokse Autoqefale. Më poshtë, fjalimi i plotë i Atit të Shenjtë me këtë rast:

RealAudioMP3 Fortlumturia Juaj
“Hir e paqe prej Hyjit Atë dhe prej Jezu Krishtit Zot” (2 Sel 1:2). Jam i gëzuar t’i uroj vëllazërisht mirëseardhjen Fortlumturisë Suaj dhe përfaqësuesve të tjerë të shquar të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilët ju shoqërojnë sot. Kujtoj me mirënjohje, pavarësisht nga rrethanat e trishtuara, takimin tonë në funeralin e Papës së ndjerë Gjon Pali II. Kujtoj gjithashtu me kënaqësi se edhe vetë Paraardhësi im pati rastin t’ju përshëndesë në Tiranë, gjatë Vizitës së tij Apostolike në Shqipëri.
Siç dihet, Iliria e pranoi Ungjillin që nga kohët apostolike (cf. Vap 17:1; Rom 15:19). Që nga ajo kohë, mesazhi shëlbues i Krishtit ka sjellë fryte në atdheun tuaj deri në ditët tona. Siç dëshmojnë edhe shkrimet e hershme të kulturës suaj, përmes një formule latine të lashtë pagëzimi sëbashku me një himn bizantin mbi Ringjalljen e Hyjit, feja e etërve tanë të krishterë ka lënë gjurmë të mrekullueshme e të pashlyeshme që në rreshtat e para të historisë, letërsisë dhe artit të popullit tuaj.
E megjithatë, dëshmia më e jashtëzakonshme gjendet pa dyshim në vetë jetën. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, të krishterët në Shqipëri, si ortodoksë ashtu edhe katolikë, e mbajtën fenë gjallë pavarësisht nga regjimi ateist jashtëzakonisht shtypës dhe armiqësor; dhe, siç dihet, shumë të krishterë paguan me jetë për atë fe. Rënia e atij regjimi i hapi rrugën rindërtimit të bashkësive katolike dhe ortodokse në Shqipëri. Veprimtaria misionare e Fortlumturisë Suaj njihet, sidomos në rindërtimin e vendeve të kultit, në formimin e klerit dhe në punën katekistike, që po bëhet tani, një lëvizje përtëritëse që Fortlumturia Juaj e ka përshkruar me të drejtë si Ngjallja.
Që nga fitimi i lirisë, Kisha Ortodokse në Shqipëri ka marrë pjesë frytshëm në dialogun teologjik ndërkombëtar ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve. Impenjimi juaj për këtë pasqyron qartë marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve në vendin tuaj dhe frymëzon krejt popullin shqiptar, duke treguar se si është e mundur që të krishterët të jetojnë në harmoni.
Në këtë dritë, do të bënim mirë të nënvizonim elementet e fesë, që janë të përbashkëta për Kishat tona: besojma e përbashkët nikeane-kostandinopojane; i njëjti pagëzim për faljen e mëkateve dhe për t’u bërë një me Krishtin e me Kishën; trashëgimia e Koncileve të para Ekumenike; bashkimi i vërtetë, megjithëse jo i përsosur, që përjetojmë dhe dëshira e përpjekjet e përbashkëta për të vazhduar rrugën e nisur. Dua të përmend këtu dy nisma të rëndësishme në Shqipëri: ngritjen e Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale dhe krijimin e Komitetit për Marrëdhëniet Ndërfetare. Këto janë përpjekje të kohës për të nxitur mirëkuptimin e ndërsjelltë dhe bashkëpunimin e dukshëm, jo vetëm ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, por edhe ndërmjet të krishterëve, myslimanëve e bektashinjve.
Gëzohem sëbashku me Fortlumturinë Tuaj dhe me të gjithë popullin shqiptar për këtë përtëritje shpirtërore. Njëkohësisht, mendoj me mirënjohje ndaj Zotit të Gjithpushtetshëm për shërbimin tuaj në atdhe dhe për kontributin tuaj personal në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore me Kishën Katolike. Të jeni të sigurtë se ne, nga ana jonë, do të bëjmë ç’është e mundur për dëshminë e përbashkët të vëllazërimit e paqes dhe për të vazhduar me ju impenjimin e përtërirë për bashkimin e Kishave tona, duke iu bindur Urdhërimit të ri të Zotit tonë.
Fortlumturia Juaj, në këtë frymë bashkimi, është kënaqësi për mua t’ju uroj mirëseardhjen në qytetin e Apostujve Pjetër e Pal.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.