2009-12-04 18:20:14

Bredhi i Krishtlindjes arriti në Sheshin e Shën Pjetrit.


(04.12.2009 RV)RealAudioMP3 Bredhi i Krishtlindjes u lartua sot në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit, ku do të qëndrojë, pranë Shpellës monumentale të Betlehemit, në kompozim e sipër, deri në mbarim të Festave të mëdha të dimrit. Iu desh të shtegtonte gjatë për të arritur në Vatikan nga pyjet Ardene të Valonies, një nga zonat më të gjelbëruara të Belgjikës e të mbarë Evropës.
Bredhi duket krejt i ri, por në të vërtetë është shumë plak: 100 vjeçar. Lartësia e tij është 30 metra; diametri, 7 e pesha, 14 tonelata. Nuk u pre thjesht për të solisur njërin nga Sheshet më të bukura të botës, por sepse ishte ndërmjet drunjve të pyllit belg, që duheshin rralluar, për t’u krijuar hapësirë filizave të rinj përreth.
Kur të kenë mbaruar Festat e mëdha, druri i tij do të përdoret për të krijuar shtatore, të cilat do të shiten, për të grumbulluar fonde në ndihmë të të varfërve.
Bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit do të ndriçohet pasditen e 18 dhjetorit, në praninë e ministrit të ekonomisë të zonës së Valonies, Zhan–Klod Markur, të ambasadorit të Belgjikës pranë Selisë së Shenjtë, Frank de Konik dhe të ipeshkvit të Liezhit, Alojs Zhustê.
Kujtojmë se vitin e kaluar Bredhi, i lartë 33 metra, me moshë 130 vjeçare, iu dhurua Papës nga komuna austriake Gutenshtain.
Ndërsa Bredhi i parë i Krishtlindjes në Vatikan u vendos në vitin 1982, për t’u bërë, më pas, traditë e përvitshme. Ka ardhur nga vise të ndryshme malore të Italisë, nga Austria, nga Kroacia, por edhe nga Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Sllovenia e Republika Sllovake.
Vitin e kaluar, duke pritur në audiencë delegacionin austriak ardhur në Vatikan nga Austria jugore, Benedikti XVI e përshkroi kështu Bredhin madhështor, i cili do t’i kënaqë për disa javë jo vetëm romakët dhe mijëra shtegtarët që vijnë në Romë për festat e mëdha, por edhe vetë Papën, që e shikon çdo ditë nga dritarja e studios:
“Forma e tij e përsosur, gjelbërimi e dritat mbi degë, janë simbole të jetës. Na kujtojnë misterin e Natës së Shenjtë. Krishti, Biri i Hyjit, sjell në botën e errët, të acartë e të zhytur në mëkat, ku vjen të lindë, shpresë të re e shkëlqim të ri. Në se njeriu ia hap zemrën shkëlqimit të së vërtetës së gjallë, që është Krishti, do të fitojë paqen shpirtërore e do të bëhet ai vetë veprimtar i paqes, në një shoqëri që ka shumë mall për pajtim e shpëtim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.