Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti është i drejtë dhe i mëshirshëm
(03.12.2009 RV)Të dashur dëgjues,
në emisionin e sotëm do të flasim për imazhin që kemi për Zotin, Hyjin e Gjithpushtetshëm.
Në fakt, nuk mjafton të besojmë në Të, por duhet të kuptojmë edhe se si Zoti punon
në ne përmes drejtësisë e mëshirës.
Për të folur mbi këtë temë, duhet
të nisemi nga mëkati, kuptimin e të cilit e kemi shpjeguar gjerë e gjatë edhe më parë,
në këtë cikël. Në kulturën fetare ekziston një bindje e dyfishtë: mëkati është fyerje
kundër Zotit dhe vuajtjet e mëpasme janë pasojë e dënimit të Tij. Me bindje të tilla
s’bëjmë tjetër veçse zhvendosim te Zoti sjellje e ndjenja, që u përkasin sjelljeve
e ndjenjave tona. Le të përpiqemi të kuptojmë më thellë! Mëkati nuk i bën asnjë
lloj dëmi Zotit, nuk ia ul nderin e përsosmërinë, por siç thuhet në Enciklikën
“Gaudium et Spes” (13), është “përulje për vetë njeriun, pasi e pengon të jetojë
në plotësi”. Pasojë e mëkatit është dështimi i jetës sonë personale dhe i marrëdhënieve
me të tjerët, por meqenëse ai prodhon edhe largimin nga Zoti, atëherë mund të thuhet
se përbën “fyerje kundër Hyjit”. Shën Toma i Akuinit saktëson se Zoti nuk fyhet,
përveçse kur veprojmë kundër së mirës sonë dhe atë të të afërmit. Duke u bërë protagonist
i përhapjes së të keqes në botë, njeriu ndahet nga Zoti, pengon planin që Ai e konsideron
të shenjtë: të mirën në botë. Ideja e dytë, sipas së cilës e keqja shkakton dënimin
hyjnor, gjen konfirmim në shumë tekste biblike, ku, përveç mëshirës, flitet edhe për
drejtësinë e Zotit. Nuk është një çështje e thjeshtë, pasi nëse flitet vetëm për mëshirën
rrezikojmë të paraqesim një Zot indiferent ndaj fatit të njerëzve, e nëse flasim vetëm
për drejtësi rrezikojmë ta shndërrojmë Zotin në një Hyj hakmarrës. Sidomos këtu, duhet
të kemi parasysh kufizimet njerëzore të arsyetimit tonë. Në ungjill, dishepujt, duke
i treguar një person që kishte lindur i verbër, pyesin Jezusin: “Rabi, kush mëkatoi,
ky apo prindërit e tij që leu i verbët?” E Jezusi përgjigjet: “Nuk mëkatoi
as ky, as prindërit e tij” (Gjoni 9,1-3). Teksti thekson faktin se Zoti nuk hakmerret
për mëkatet e njerëzve dhe paraqet veprën e Krishtit, i cili ka ardhur të zbulojë
një Hyj që nuk dëshiron vdekjen e mëkatarit, por rilindjen e tij. Kur në Punën
e Pendimit themi “me (mëkatet) kam bjerrë Parajsën e kam merituar Ferrin”
nuk duhet të projektojmë mekanizmin mëkat-dënim në imazhin e Zotit, që
kështu do të shkaktonte vetëm vuajtje e dhimbje. Kjo shprehje na shërben që të
mos e banalizojmë mëkatin, na kujton se falja kërkon pendesë të sinqertë e riparimin
e dëmeve që mund të kemi sjellë. Është njëlloj si të thoshim: duke mëkatuar kemi merituar
gjykimin dhe një botë larg nga plani i Hyjit. I kërkojmë Zotit të na dhurojë hirin
për ta pranuar faljen e Tij, për të komunikuar me gëzim miqësinë e pajtimin me Të.