2009-12-03 15:38:55

Thirrje e jezuitëve: ndal përdorimit të fëmijëve ushtarë në Kolumbi


(03.12.2009 RV)Kolumbia vazhdon të shkatërrohet nga lufta civile. Ndeshjet e ditëve të fundit ndërmjet ushtrisë dhe guerrilasve të FARC-ut kanë shkaktuar shumë viktima. Sipas të dhënave të UNICEF-it, luftëtarët e vendit latinoamerikan arrijnë në 17 mijë vetë. Shumë prej tyre janë fëmijë. Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët e ka ngritur zërin pikërisht për ta, duke bërë një thirrje të fuqishme që të ndalet përdorimi i të vegjëlve në konflikt. Mbi këtë fenomen dramatik, intervistuam koordinatorin ndërkombëtar të komunikimit në Shërbimin e Jezuitëve për Refugjatët, Xhejms Stepllton:
Një pjesë shumë e rëndësishme e këtyre grupeve që luftojnë përfaqësohet nga të mitur: mesatarisht një ndër katër guerrilas është nën 18 vjeç. Në këto rrethana, duhet sensibilizuar popullsia mbi problemin, sepse vërtet që gjatë viteve të fundit është ulur numri i fëmijëve ushtarë, por është ulur edhe mosha e atyre që përdoren si të tillë, nga 13 në 12 vjeç. Deri pak kohë më parë, lufta ishte vetëm kolumbiane, por tani është më e përgjithshme. Shumë vetë janë larguar nga Kolumbia për të shpëtuar fëmijët nga lufta, por tani, nëpër kampet e refugjatëve e në vendet fqinjë, rrezikojnë të përdoren si ushtarë jo vetëm fëmijët kolumbianë, por edhe të tjerët.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.