2009-12-03 15:32:17

Mesazh i Papës Benedikti XVI për Ditën Botërore të të Sëmurit: përvoja e sëmundjes dhe vuajtja mund të bëhen shkollë shprese


(03.12.2009 RV)Në misterin e mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, vuajtja njerëzore merr kuptim e dritë: kështu shkruan Papa Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën e 18-të Botërore të të Sëmurit, e cila do të kremtohet më 11 shkurtin e ardhshëm, ditën kur Kisha Katolike përkujton Zojën e Lurdës. Në dokumentin e botuar sot paradite, Ati i Shenjtë përmend 25-vjetorin e themelimit të Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë dhe i fton të krishterët ta jetojnë konkretisht shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë.
Duke i bërë jehonë enciklikës “Spe Salvi”, Papa nënvizon se ajo që e shëron vërtet njeriun nuk është mënjanimi i vuajtjes, ikja para dhimbjes, por aftësia për ta pranuar atë dhe përmes saj, për t’u bërë më të urtë e të mençur, për të gjetur kuptimin e sëmundjes në bashkimin me Krishtin.
Papa vë në dukje impenjimin e Kishës Katolike, spitalet, ambulancat e përhapura në të gjitha anët e botës, por, thekson Benedikti XVI, ndjehet nevoja e pranisë më të madhe të meshtarëve e të rregulltarëve pranë të sëmurëve. Ndjehet gjithashtu nevoja që shoqëria të mbrojë vlerat ungjillore në favor të jetës, nga zënia deri në fundin e saj të natyrshëm.
Në këtë Vit Meshtarak, Papa u thotë meshtarëve se koha e kaluar pranë të sprovuarve nga sëmundja është burim hiri për ta e për veprimtarinë e tyre edhe në fusha të tjera. E së fundi, u kërkon të sëmurëve të luten e t’ia ofrojnë vuajtjet e tyre Zotit për meshtarët, që ata t’i mbeten besnikë thirrjes, në të mirë të mbarë Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.