Kryeipeshkvi i Bopalit: ende sot pas 25 vjetësh nuk ka drejtësi për të varfërit dëmtuar
nga fatkeqësia e Junion Karbajd.
(03.12.2009 RV)Protesta në Indi
në 25-vjetorin e tragjedisë së Bopalit. Kur po gdhihej 3 dhjetori i 1984, me dhjetra
mijëra vetë u infektuan në Bopal nga lëndët kimike që rrodhën nga cisternat e fabrikës
Junion Karbajd, një ndërmarrje amerikane kjo. Brenda dhjetë ditësh vdiqën më se 10
mijë vetë. 15 mijë të tjerë vdiqën në vitet më vonë, por ende sot janë shumë ata që
kanë lindur me probleme, që vuajnë nga tumore dhe patologji të ndryshme për shkak
të ndotjes kimike. Manifestuesit që dolën në rrugë këto ditë kërkuan drejtësi për
viktimat që janë dëmshpërblyer me shuma qesharake si edhe bonifikimin e plotë të fabrikës
dhe të zonës rreth e përqark. Po më hollësisht në mikrofonin tonë flet kryeipeshkvi
i Bopalit Imzot Lio Kornelio. Ta dëgjojmë:
Përgjigje: Ende nuk ka drejtësi!
Ka shumë njerëz që vuajnë akoma, mbi të gjitha të varfërit. Sigurisht, sot pas 25
vjetësh kujtimi i asaj tragjedie mbetet pse padrejtësia nuk është vënë në vend. Ka
shumë manifestime proteste, por nuk bëjnë bujë nëpër botë, nuk përbëjnë lajm. Bëhet
fjalë për të varfër, pra, për persona që nuk çojnë peshë. Nuk ka drejtësi sepse kjo
shoqëri shumëkombëshe ka dhënë diçka, por jo atë që kanë kërkuar të varfërit. Ka akoma
shumë probleme që nuk janë zgjidhur. Duhet të ekzistojë vullneti për të bërë atë që
është e nevojshme për t’u zgjidhur këto probleme.
Pyetje: Imzot Kornelio,
sot 25 vjet pas asaj tragjedie thuhet se toka është ende e ndotur nga mbeturinat toksike....
Përgjigje:
Kjo zonë është padyshim e ndotur dhe duhet ta pastrojnë të tërën. Kjo gjë është
shumë e rëndësishme. Njerëzve që kanë humbur gjithçka, qeveria iu thotë të mos kenë
frikë, por edhe zvogëlimi i pasojave të kësaj tragjedie nuk është një gjë e mirë.
Sigurisht ka ende shumë probleme. Dhe për t’i zgjidhur ato përfundimisht, duhet të
ekzistojë vullneti. Mbase atëherë të varfërit do të gjejnë pak drejtësi.
Pyetje:
Çfarë bën Kisha e Bopalit?
Përgjigje: Qysh në fillim të kësaj tragjedie
Kisha ka qenë gjithmonë përkrah të varfërve dhe ka bërë gjithnjë atë që ka mundur,
dhe kjo veprimtari e saj vazhdon ende sot. Tani për tani kemi tri shkolla për të paaftit,
që frekuentohen nga më shumë se 200 fëmijë që janë mirënjohës. Kemi pastaj edhe dy
spitale ku të sëmurët trajtohen mirë dhe marrin të gjithë ndihmën e mundur. Me shpenzime
krejt të vogla mund të blejnë barnat që iu nevojiten. Kemi edhe tri a katër qendra
shoqërore ku i ndihmojmë njerëzit sipas nevojave, me atë që kemi. Në këtë mënyrë Kisha
është gjithmonë aktive në ndihmën që iu jipet këtyre njerëzve. Gjithashtu e mbajmë
të hapur dialogun edhe me qeverinë për t’i ndihmuar të varfërit.