(02.12.2009 RV)Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Bibianën, patrice romake,
virgjër e martire, Shën Pimenin, martir dhe shën Silverin, papë. Po ndalemi më
hollësisht tek figura e Shën Bibianës. Emri Bibianë rrjedh nga Vivianë, në latinisht
‘vitale’, do të thotë që ka jetë, gjallëri. Kështu emri i saj u bë sinonim i gjallërisë,
shkathtësisë, i njeriut plot jetë. E lindur në Romë në vitin 352 Bibiana, sipas
rrëfimit mbi martirizimin e saj, shkruar në shekullin VII, është ndërmjet viktimave
të persekutimit të të krishterëve në kohën e Julit, njohur me epitetin Apostati, apo
Sakrilegji. Pasi e torturuan, për ta bërë të mohonte Krishtin, Virgjërës Martire
ia prenë kokën. E sot kjo kokë ruhet në kapelën e të Kryqëzuarit, në bazilikën e
Shën Marisë së Madhe në Romë dhe ekspozohet për besimtarët në ditët e Krezhmëve si
dhe më 2 dhjetor, në festën e saj liturgjike. Martirizimi i shenjtes ka frymëzuar
shumë artistë, që kanë realizuar një numër të madh ikonash kushtuar Virgjërës Martire,
e jo më pak devocionit popullor për Shenjten. Njihet si pajtore e njerëzve që
kanë dhimbje koke, ngerrçe, epilepsi apo sëmundjen "e tokës", janë të alkoolizuar
apo viktima të aksidenteve. Festa e Shën Bibianës në traditën popullore ka edhe vlerë
meteorologjike. Thuhet se në ditën e festës së saj mund të bëhen parashikime se si
do të jetë dimri në vijim.