2009-12-02 18:51:35

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Njerëzit kanë uri”.


(02.12.2009 RV)RealAudioMP3 Në emisionin e tretë të rubrikës “Shtigjeve të Krishtlindjes” ecim pas turmës së sëmurë, të uritur, të etur, plot plagë, që kërkon shëndet, dritë, drejtësi. Kërkon t’i prijë dikush, ta ftojë në sofrën e popujve, ku gjithçka ndahet me drejtësi. Kërkon e gjen, e edhe ne bashkë me të, sepse Jezusit “I dhimbset ky popull”, i dhimbsemi ne, që kemi uri, prandaj na fton ditë për ditë në tryezën, ku shpirti njerëzor mund të shuajë çdo uri e etje.

Jezusi i thirri pranë vetes nxënësit e vet e u tha:
“Më dhimbset ky popull, se ja, tash tri ditë rri me mua e nuk ka çka të hajë”
Mt. 15, 29-37

 
"Vijnë nga të katër anët për të takuar Mjeshtrin,
ngarkuar me vuajtje, me plagë.
Iu hapën për mëkatet e veta,
a për faj të etërve?
Të çalë, të verbër, të shurdhër,
të pagojë e të pazë.
Të uritur për bukë,
t’ etur për dashuri.
E ja, përpara syve të tyre të mahnitur,
uria e etja shuhen,
në një sofër bujare, të përbashkët,
ku shtrohen popujt e nginjen
e hanë e mbledhin teprica.
Pikërisht kjo bukë
tepricë e tryezave tona,
u mungon të tjerëve, që vuajnë nëpër botë….
Po Mësuesi kumton ditë të reja,
kumton ditën që ndan rrezet e diellit
prej hijes së ftohtë,ditën kumton, kur njerëzve
një bukë tjetër në sofër do t’u thyejë,
shenjë tronditëse e pranisë së Tij mes nesh.
Kjo bukë u dhurohet të gjithë njerëzve:
shenjtorë a mëkatarë.
Prej shekujsh çeta profetësh,
kumtojnë atë gëzim,
që trishtimin e mposht
e vdekjen e mund.
Harenë kumtojnë,
që ndan rrezet e diellit
prej hijes akull të ftohtë
e gjurmë të thella lë,
mbi rrasë, pergamenë e mbi zemra.
Se ditë për ditë në krye të sofrës
mes nesh ulet i Gjalli!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.