2009-12-02 18:59:17

Papa në audiencën e përgjithshme: dashuria për Zotin e për të afërmin është e fshehta e jetës së vërtetë e të lumtur.


(02.12.2009 RV)RealAudioMP3 Vetëm në se e do Zotin me mend e me zemër, mëson ta njohësh e të jetosh me Të një jetë me të vërtetë të lumtur. Në audiencën e sotme përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI bëri të vetin mësimin e Gulielmit të Sen-Tierí, murg francez, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të krishterë të shekullit XII, të cilëve Papa po u kushton katekizmin prej disa javësh. Në përfundim të takimit të së mërkurës me shtegtarët, Ati i Shenjtë foli për vlerën e Sakramentit të Rrëfimit, në 25-vjetorin e Nxitjes Apostolike “Reconciliatio et paenitentia”.

“Energjia kryesore, që vë në lëvizje shpirtin njerëzor, është dashuria”. Ky, që për arsye nga më të ndryshmet, mund të duket si pohim tejet i njohur e i rëndomtë i epokës sonë – herë i mirëkuptuar e herë i keqkuptuar - ishte e mbetet zemra e mesazhit të krishterë. E, për murgun Gulielmi i Shën Tieri-së, benediktin më parë e më pas çisterçens, që jetoi në Francë ndërmjet viteve 1080-1148, është deri në atë pikë, sa kuptimi i artit të krishterë të dashurisë bëhet thelbi i zemrës së njeriut, që jeton duke kundruar dashurinë e Zotit e duke u thelluar në të. Benedikti XVI iu rikthye, kështu, njërës nga idetë kryesore të Gulielmit e cila – nënvizoi Papa - vlen edhe për ne:
“Thelbi më i thellë i natyrës njerëzore është prirja për të dashur. Në fund të fundit mund të themi se çdo njeriu i besohet një detyrë e vetme: të mësojë për të dashur, sinqerisht, vërtetësisht, pa kurrfarë interesi. Por një detyrë e tillë mund të realizohet vetëm në shkollën e Zotit, e vetëm në bankat e kësaj shkolle njeriu mund të arrijë qëllimin, për të cilin është krijuar”.
Dashuria është Arti i arteve – shkruante akoma Gulielmi i Sen Tieri-së, duke sqaruar – kujtoi Papa – se objekti i kësaj dashurie është Dashuria me “D” të madhe, domethënë, Zoti. Sidoqoftë – vëren Benedikti XVI - ajo që të prek në shkrimet e murgut të lashtë, është se kur flet për dashurinë ndaj Zotit, i kushton vëmendje të veçantë përmasës së ndjesive:
“Në fund të fundit, të dashur miq, zemra jonë është e bërë prej mishi, e kur duam Zotin, që është vetë dashuria, si mund të mos i shprehim, në këtë lidhje me Zotin, edhe ndjesitë tona tejet njerëzore, si dhembshuria, ndjeshmëria, ëmbëlsia?”.
Lartimi drejt Zotit është një akt, në të cilin përfshihen mendje e zemër, sepse vetëm mendja e kufizon, ndonëse nuk e zhduk, distancën ndërmjet subjektit dhe objektit të dashurisë:
“Por dashuria ka fuqi tërheqëse e bashkuese deri në atë pikë, sa ai që do e ai që duhet shndërrohen e asimilohen. Këto ndjesi e kjo simpati e anasjelltë krijojnë kushtet për një njohje shumë më të thellë, sesa ajo që arrihet vetëm me arsye (…) . Të dashur miq, pyesim veten: a nuk ndodh pikërisht kështu në jetën tonë? A s’është e vërtetë se ne e njohim thellësisht, vetëm atë që e dashurojmë? Pa pasur më parë një farë simpatie, nuk mund të njohim askënd e asgjë e (…) Zoti njihet vetëm në se duhet”.
E pasi të kapet në majen e asaj, që murgu Gulielm e quan ‘bashkim i shpirtit’ me Zotin, njeriu arrin përngjasimin e vërtetë me Krijuesin e vet, bashkimin e plotë me Të. Kështu, nga “Këngëtari i dashurisë e i dhembshurisë” – siç e quajti Benedikti XVI Gulielmin e Sen Tieri-së, të krishterët e sotëm mund të mësojnë të zgjedhin rrugën e vërtetë, atë që u jep kuptim e vlerë të gjitha rrugëve të tjera:
“Ta duam Zotin e për dashuri të tij, ta duam edhe të afërmin tonë; vetëm kështu mund të gjejmë gëzimin e vërtetë, që i paraprin lumturisë së amshuar. Të ulemi, prandaj, në bankat e shkollës së shenjtorëve, për ta nxënë me gjithë mend e me gjithë zemër mësimin e madh të dashurisë”.

 
Pas katekizmit, Papa përshëndeti besimtarët në gjuhë të ndryshme. Posaçërisht - përfaqësuesit e Shoqatës së Detarëve të Italisë dhe ata të Federatës Italiane të Bukëpjekësve e të Pastiçerëve, të cilët i falënderoi për dhuratën bujare të panetoneve, ëmbëlsira të cilat do të përdoren për veprat e bamirësisë së Papës.
Benedikti XVI kujtoi edhe 25-vjetorin e shpalljes së Nxitjes Apostolike “Reconciliatio et paenitentia”, botuar nga Gjon Pali II më 2 dhjetor të vitit 1984. Ky dokument - shpjegoi Ati i Shenjtë – tërhoqi vëmendjen mbi vlerën e Sakramentit të Rrëfimit apo të pajtimit me Zotin, në jetën e Kishës. Duke kujtuar disa nga apostujt e rrëfyestores, si Shën Gjon Vianej e Shën Pio i Pietrelçinës, Papa përfundoi me fjalët:
“Uroj që shembulli i këtyre shenjtorëve, shërbenjës të flaktë e besnikë të ndjesës hyjnore, të jetë për meshtarët, posaçërisht në këtë Vit meshtarak - e për të gjithë të krishterët - ftesë për t’i besuar gjithnjë më shumë mirësisë së Zotit, duke e kremtuar me besim Sakramentin e Rrëfimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.