Benedikti XVI: jetëshkrim i shkurtër i Gulielmit të Sen Tieri-së.
(02.12.2009 RV)Gijomi apo Gulielmi, lindi në Liezh të Francës, ndërmjet viteve
1075 e 1080. Bir i një familjeje fisnike, i pajisur me inteligjencë jo të zakonshme
e me dëshirë të zjarrtë për studim, ndoqi shkollat më të famshme të epokës, si në
qytetin e tij të lindjes, Reims, ashtu edhe në vise të tjera të Francës. U njoh edhe
me Abelardin, mësuesin që zbatonte filozofinë në teologji në mënyrë aq origjinale,
sa të ngjallte shumë dyshime e kundërshtime. Edhe Gulielmi shprehu dyshimet e tij.
Madje nxiti edhe mikun e vet, Bernardin e Kiaravales, të mbante qëndrim kundër Abelardos.
Duke iu përgjigjur thirrjes së pakundërshtueshme të Zotit për të ecur në rrugën e
jetës rregulltare, hyri në manastirin benediktin të Sen-Nikesë në Reims në vitin 1113
e, pas ndonjë viti, u bë abat i manastirit të Sen-Tieri-së, në dioqezën e Reimsit.
Në këtë periudhë qe përhapur shumë përpjekja për pastrimin e përtëritjen e jetës
murgare, në përkim të plotë me mësimet e Ungjillit. Gulielmi punoi me zell të madh
në këtë drejtim në manastrin që drejtonte e, në përgjithësi, në mbarë Urdhërin benediktin.
Nuk e pati aspak të lehtë sepse ndeshi shumë kundërshtime në përpjekjen për të reformuar
jetën e murgjërve. Prandaj, në vitin 1135, pavarësisht nga këshillat e mikut të tij,
Bernardit, u largua nga abacia benediktine, la zhgunin e zi, për të veshur atë të
bardhin e për t’u bashkuar me çisterçensët e Sinjit. Që nga ky çast, deri në vdekje,
më 1148, iu kushtua plotësisht, kundrimit të mistereve të Zotit në lutje, gjë që e
kishte dëshiruar gjithë jetën, si dhe kundrimit të shkrimeve të letërsisë së përshpirtshme,
me rëndësi të posaçme në historinë e teologjisë murgare. La disa vepra, ndërmjet
të cilave, ‘Natyra e dinjiteti i dashurisë” dhe “Duke kundruar Zotin”, pa harruar
‘Letrën e artë’, drejtuar çertozinëve të Malit të Hyjit, të cilët kishte shkuar t’i
vizitonte për t’i ngushëlluar e për t’i këshilluar. Në përfundim të jetëshkrimit
të Gulielmit të Sen-Tieri-së, po kujtojmë një nga shprehjet e tij më të famshme:
“Dashuria është zanafilla e dijes”.