Sot në gjithë Botën kremtohet Dita Botërore kundër sëmundjes së SIDA-ës. Kisha Katolike
vazhdon të jetë përkrah të sëmurëve.
(01.12.2009 RV)“Të reagohet kundër
çdo forme diskriminimi që lidhet me sëmundjen e SIDA-ës dhe të impenjohemi të arrijmë
brenda 2010 mundësinë për parandalimin e kësaj sëmundjeje.” Kështu shprehet Sekretari
i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun në mesazhin e tij me rastin e kësaj dite ndërkombëtare.
Sipas raportit të përvitshëm të OKB-së mbi këtë sëmundje të infekuarit janë 33,4 milionë
dhe çdo vit ka 7400 raste të reja. Afrika subsahariane mbetet zona më e goditur me
22 milionë të sëmurë me këtë virus. “Kisha, - nënvizoi Papa Benedikti XVI gjatë Lutjes
së Engjëllit të Tenzot të dielën që shkoi, - nuk resht kurrë së vepruari për të luftuar
SIDA-ën”. Një impenjim i përditshëm ky që nuk lë pas dore promovimin e dinjitetit
të njeriut. Pikërisht këto kohët e fundit Ipeshkvijtë afrikanë denoncuan se për
shumë qeveri dhe organizata ndërkombëtare lufta kundër SIDA-ës nuk është më parësore
duke patur parasysh krizën ekonomike. Por, siç thamë ajo mbetet parësore për Kishën
Katolike. E jo vetëm me fjalë. Shifrat flasin qartë. Në Afrikë institutet katolike
që ndihmojnë të infektuarit veprojnë në më shumë se një mijë spitale dhe pesë mijë
klinika. Janë më se 800 jetimoret katolike për fëmijë të sëmurë me SIDA. E për t’i
rënë shkurt, rreth 40 përqind e të gjitha kurave për SIDA-n në Afrikë garantohen nga
entet katolike. Në vijën e parë të luftës kundër kësaj sëmundjeje mbetet, që prej
20 vjetësh, Karitasi Ndërkombëtar, që pikërisht këto ditë bëri thirrje për kura që
iu duhen garantuar fëmijëve të infektuar. Por për një reflektim mbi impenjimin e Kishës
në këtë fushë, në mikrofonin tonë flet Imzot Robert Vitilo, këshilltar i posaçëm për
SIDA-ën i Karitasit Ndërkombëtar:
Përgjigje: Kisha është gjithmonë shumë
pranë personave që vuajnë më shumë. Shifrat që u bënë të njohura nga OKB-ja tregojnë
se më shumë se 2 milionë vetë janë infektuar vetëm gjatë 2008-ës. Kjo do të thotë
pra, se duhet t’i përkushtohemi më tepër parandalimit të kësaj sëmundjeje.
Pyetje:
A mund të themi se Kisha është e para në luftën kundër SIDA-ës?
Përgjigje:
Sigurisht. Kisha është shumë, shumë e impenjuar në shumë vende. Ajo merret me shumicën
e mjekimeve. Gjithashtu është e impenjuar në edukimin e njerëzve dhe në parandalimin
e kësaj sëmundjeje.