2009-12-01 15:42:18

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: Gjithçka mund të ndryshojë.


(01.12.2009 RV)RealAudioMP3 E nisëm dje shtegtimin ‘Shtigjeve të Krishtlindjes’ me shpjegimin e kuptimit të kësaj kohe liturgjike, në të cilën ndjehet fort prania e pritja e Amshimit.
Emisioni II është ftesë për të ëndërruar së bashku një botë të re, ku do të pushojë Shpirti i Zotit, Shpirti i urtisë e i dijes, Shpirti i këshillave dhe i forcës, Shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Nga kjo botë mërgohet e keqja e lind dita e re, e shpresuar nga njerëzimi në shekuj. Nuk është botë përrallore. Është bota e përshkruar nga Izaia profet, që paraflet:

Lexim nga Isaia Profet: (1, 1-5.8)

 
1 Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut,
një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij.
2 Në të do të pushojë shpirti i Zotit,
shpirti i urtisë e i dijes,
shpirti i këshillave dhe i forcës,
shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit.
3 Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit.
S’do të gjykojë sipas pamjes së syve,
as s’do të vendosë sipas thashethemeve,
4 por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët,
do t’u japë gjyq të drejtë të përvujtëve të vendit.
Me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin
e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin.
5 Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia
me besnikëri do t’i ngjeshë ijët!
Ujku do të banojë me qingjin…
8 Foshnja do të luajë
Mbi vrimën e shlligës.
Në strofullin e kapastrecit
Fëmija dorën do të futë!


Profeti i Besëlidhjes së Vjetër na kujton, kështu,
se gjithçka mund të ndryshojë.
E të ndryshojë për mirë.
Eja, prandaj, të ëndërrosh,
duke ecur me ne shtigjeve të Krishtlindjes.
Eja të shikojmë ëndrra me sy hapur,
ashtu si Profeti i Biblës.
Të ëndërrojmë se njeriu më s’egërsohet
për padrejtësitë, si gjarpëri.
Se tanket tashmë
janë kthyer në plore parmendash.
Skifterët e pëllumbat pushojnë
në degët e të njëjtit ulli,
si roje frymëmira të tokës.
Mjaft më me muret e turpit,
mjaft me raketa
që mbjellin farën e vdekjes,
që fluturojnë në qiell e vrasin yjet.
Veç ëndrrat s’mund t’i vrasin,
dhe pse kushtojnë tepër shtrenjt,
kur, qoftë dhe nëpër ëndrra,
sulmon drejt lartësish.
Sulm i rrezikshëm, që shpesh
paguhet me çmimin e jetës.
Por, mos ki frikë
dita do të vijë,
e ndoshta edhe ka ardhur,
kur të bardhë e të zinj do të jenë të barabartë,
e ndërsa dje këtë s’ mund as ta ëndërroje
sot ëndrra bëhet zhgjëndërr.
E Bota gojëhapur shikon
Zezakun në krye të kombit më të madh
e më të fuqishëm të tokës.
Pak kohë më parë kjo ish
veç regëtimë zemre,
ish e pamundur, dje .
E sot është realitet.
Eja t’ravgojmë pas ëndrrash:
në një botë ku gjithçka mund të ndryshojë!


Të ndërtojmë mbi shkëmb, natyrisht,
por të mos harrojmë
kokën ta ngrejmë dhe lart,
në qiellin pa fund e pa anë,
mbjellur me yje;
me galaksi, që të mahnitin
Duke vallëzuar në gjithësi,Për lumni të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.