Papa: Shën Andreu na mësoftë ta ndjekim Krishtin me gatishmëri e t’u flasim edhe të
tjerëve me entuziazëm për Të.
(30.11.2009 RV)Sot, pra, Kisha feston Shën Andreun Apostull, të cilit Papa
i ka kushtuar katekizmin e audiencës së përgjithshme të 14 qershorit 2006. Andreu,
vëllau i Pjetrit, qe i pari ndërmjet Apostujve, që u thirr për ta ndjekur Jezusin.
Pikërisht në saje të lidhjes së tyre vëllazërore - pohoi Benedikti XVI - Kisha e Romës
dhe e Kostantinopojës janë vërtetë motra. Për t’i theksuar më shumë këto marrëdhënie,
Pali VI ia ktheu, më 1964, reliken e Shën Andreut, deri asokohe ruajtur në Bazilikën
e Vatikanit, ipeshkvit metropolit ortodoks të qytetit Patras në Greqi ku, sipas traditës,
u kryqëzua Apostulli. Mbi këtë bazë liturgjia e Kishës bizantine e nderon me titullin
Protóclitos, që do të thotë pikërisht ‘i thirruri i parë’. Sipas një tradite tepër
të lashtë, është Andreu apostulli që ia kumtoi Jezusin botës greke. Pjetri, nga Jeruzalemi,
përmes Antiokisë, arriti në Romë për të ushtruar misionin e tij universal; ndërsa
Andreu qe apostull i botës greke: ata, në jetë e në vdekje, i shikojmë gjithnjë si
vëllezër të vërtetë – të lidhur me një vëllazëri që shprehet simbolikisht në lidhjen
e posaçme të Selive të Romës e të Kostantinopojës, Kisha vërtetë motra. Pas Pjetrit
dhe përvojës së tij të jashtzakonshme njerëzore e shpirtërore, edhe Andreu, peshkatar
si i vëllai, Simoni, njeri plot fe e shpresë, dishepull i Shën Gjon Pagëzuesit, në
kërkim të Mesisë, takohet me Krishtin. E menjëherë pas këtij takimi, vrapon te Simon-Pjetri
për t’i thënë: “E kemi gjetur Zotin”. Ky është porteti i Andreut Apostull, sipas katekizmit
të Papës. Pas Shën Pjetrit, Shën Andreu, që do të gëzonte nderim të thellë në gjirin
e bashkësive të para të krishtera, do të kumtonte i pari Ungjillin ndërmjet grekëve,
duke lidhur me një lidhje të posaçme dy Kishat: atë romake me atë bizantine. Kështu
u shpreh Ati i Shenjtë, i cili më pas përmblodhi imtësisht fragmentet e Ungjijve që
flasin për veprimtarinë apostolike të Andreut. Përmes kësaj veprimtarie mund të njohim
së afërmi personalitetin e Apostullit, realizmin e tij në shumëzimin e bukëve, kur
flet për djaloshin që kishte shportën me bukë e peshq e vë në dukje se ishin tepër
pak për të ngopur turmën. Ose kur, së bashku me Pjetrin, Jakobin e Gjonin, e pyet
Jezusin për rrenimin e Tempullit, duke i krijuar kështu – shpjegoi Benedikti XVI –
mundësinë të shqiptojë një fjalim të rëndësishëm mbi mbarimin e kohëve: “E
duke e kujtuar këtë ngjarje – pohoi Papa – mund të arrijmë në
përfundimin se nuk duhet të kemi frikë t’i bëjmë pyetje Jezusit por, njëkohësisht,
se duhet të jemi gati t’i pranojmë mësimet që na jep Zoti, edhe kur na duken të çuditshme
e të vështira". Është një mësim themelor ky, që Shën Andreu ua jep të
krishterëve kur, në Patras, përballon vdekjen mbi kryq – mbi kryqin në formë iksi,
të cilin ai nuk e shikon si një vegël torture, por si mjet të pakrahasueshëm për t’u
bërë një me Krishtin. “Ne duhet të marrim prej këndej një mësim tepër të
rëndësishëm: kryqat tonë fitojnë vlerë, në se i mbartim si pjesë të kryqit të Krishtit.
Vetëm nga ky Kryq edhe vuajtjet tona fisnikërohen e fitojnë kuptimin e tyre të vërtetë".
Në përfundim të audiencës, Papa theksoi: “Andreu Apostull na
mëson ta ndjekim Krishtin me gatishmëri, t’u flasim me entuziazëm për Të të gjithë
atyre që takojmë e, mbi të gjitha, të mbajmë kurdoherë një lidhje vërtetë familjare
me Të, të vetëdijshëm se vetëm në Të mund të gjejmë kuptimin e fundit të jetës sonë
e të vdekjes sonë”.