2009-11-30 18:10:09

Papa në Engjëllin e Tënzot: bota ka nevojë për shpresë e shpresa gjindet vetëm në Krishtin.


(30.11.2009 RV)RealAudioMP3 Është Koha e Ardhjes: grishemi të shkojmë drejt takimit me Krishtin, duke marrë pjesë në lutje e duke e dëshmuar ditë për ditë dashurinë e krishterë. Këtë pohoi dje Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Bota bashkëkohore – tha Papa – ka nevojë, sidomos, për shpresë. E shpresën mund ta gjejë vetëm në Jezu Krishtin.

Në këtë të dielë – kujtoi Papa – nis një Vit i ri Liturgjik, që hapet me Kohën e Ardhjes, kohë e cila na përgatit për Lindjen e Zotit. Realiteti i Vitit Liturgjik, i parë me syrin e Zotit – shpjegoi Ati i Shenjtë – mund të paraqitet kështu:
“Qendra e liturgjisë është Krishti, dielli, rreth të cilit, ashtu si planetët, sillen Zoja e Bekuar – më e afërmja – e më pas, martirët e shenjtorët e tjerë, që kanë arritur tashmë në qiell, ku i këndojnë Zotit këngën e lumnisë së përsosur e ndërmjetësojnë për ne”.
Por ç’rëndësi mund të ketë realiteti i Vitit Liturgjik, për njeriun, për historinë, për shoqërinë?
“Përgjigjen na e këshillon pikërisht rruga e Kohës së Ardhjes, të cilën e nisëm sot. Bota bashkëkohore ka nevojë sidomos për shpresë. Kanë nevojë si popujt e pazhvilluar, ashtu edhe popujt ekonomikisht të zhvilluar. Gjithnjë më shpesh vërejmë se jemi në të njëjtën barkë e se duhet të shpëtojmë të gjithë së bashku”.
Duke parë sesi shemben siguritë e rreme - shtoi Papa – vërejmë se kemi nevojë për një shpresë të besueshme. E këtë shpresë mund ta gjejmë vetëm në Krishtin:
Zoti Krisht erdhi në të kaluarën, vjen në të sotmen e do të vijë në të ardhmen. Ai i rrok të gjitha përmasat e kohës, se vdiq e u ngjall, se është ‘i Gjallë e, ndërsa ndan me ne pasigurinë njerëzore, mbetet përgjithnjë Zot e na jep sigurinë e vetë Zotit. Është prej mishi e gjaku si ne, e është shkëmb, si Zoti”.
Kushdo që ka etje për liri, drejtësi e paqe – vërejti Papa – mund të ringrihet përsëri në këmbë me kokën lart, sepse me Krishtin çlirimi është fare pranë:
“Jezu Krishti nuk u përket vetëm të krishterëve, e as vetëm besimtarëve, por të gjithë njerëzve, sepse Ai, që është qendra e fesë, është edhe themeli i shpresës. E për shpresë ka nevojë të përhershme çdo qenie njerëzore”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se më 1 dhjetor do të kremtohet Dita botërore kundër Sidës. Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek të gjithë njerëzit e prekur nga kjo sëmundje:
“Kisha përpiqet me të gjitha forcat për ta luftuar Sidën, përmes institucioneve të saj e personelit të tyre. I nxis të gjithë të ndihmojnë me lutje e vëmendje konkrete, në mënyrë që njerëzit e prekur nga Virusi HIV, ta ndjejnë praninë e Zotit, që dhuron ngushëllim e shpresë. Uroj, në fund, që duke i shumëfishuar e duke i koordinuar përpjekjet, të arrihet në ndalimin e në zhdukjen e kësaj sëmundjeje”.
Porosia e fundit e Papës në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot drejtuar besimtarëve, ishte të ulen në shkollën e Virgjërës Mari, sepse Ajo mishëron plotësisht njerëzimin, i cili jeton me shpresën, që ngrihet mbi besimin në Zotin e gjallë.
Pastaj Benedikti XVI përshëndeti të gjitha ata, që morën pjesë në marshimin, organizuar nga Lëvizja e dashurisë familjare, kushtuar shprehjes së dashurisë për Kryqin, duke ia njohur thellësisht vlerën fetare, historike e kulturore. Me këtë rast, në Sheshin e Shën Pjetrit, u lartuan mijëra duar, që mbanin Kryqe të të gjitha formave, duke treguar kështu se Simboli i krishterimit është në qendër të jetës së mijëra njerëzve nga mbarë bota!







All the contents on this site are copyrighted ©.