2009-11-28 09:34:33

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së I të Ardhjes “C”
Rrini zgjuar dhe lutuni në çdo moment


(28.11.2009 RV)Dëgjues të nderuar, ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së Parë të kohës kishtare të Ardhjes, të ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
Sot fillojmë vitin e ri liturgjik me të dielën e parë të Ardhjes. Siç dihet, kalendari i Kishës nuk përkon me kalendarin civil; e derisa kalendari civil i referohet diellit, ai liturgjik e përshkon jetën dhe veprën e Jezu Krishtit Zot e Shëlbues. Etapa e parë e kësaj udhe shpirtërore është Krishtlindja, ngjarje tejet e rëndësishme për të cilën përgatitemi shpirtërisht për katër javë me radhë, që janë pikërisht të katër të dielat e Ardhjes.
Pse çdo vit përshkohet e njëjta rrugë, duke përkujtuar të njëjtat ngjarje? Le të provojmë ta kuptojmë psehin.
Çka është festa e ditëlindjes? Pse e kremtojmë për çdo vit? A thua gjithmonë është po e njëjta gjë? Jo. Sepse prej një viti në tjetër përparojmë, rritemi, e shpresojë jo vetëm në lartësi, por edhe në inteligjencë, në urtësi, në mirësi, në shumë sende të bukura, në miqësi me Jezusin e të tjerët, në dashuri e respekt me çdo njeri që takojmë gjatë jetës së përditshme.
Të kremtosh ditëlindjen domethënë të rifillosh nga fillimi, duke përkujtuar rritjen e përparimin tonë; po nuk është vetëm përkujtim, ne vazhdojmë të jetojmë duke përparuar e duke u rritur.
E njëjta gjë ndodhë për fëmijët e të rinjtë në shkollë, për të rriturit në punë. Çdo vit duket se rifillojmë nga e para, mirëpo në realitet ne ecim gjithnjë përpara e nuk kthehemi mbrapa. Sepse ne çdo ditë diçka të re përjetojmë, mësojmë, njohim, thellojmë dhe shijojmë etj.
Kështu ndodhë, do të duhej të ndodhte në ripërshkimin e jetës së Jezusit. Çdo vit e njohim më mirë, më nga afër, çdo vit rritet dashuria jonë ndaj Tij e Ai mund përherë më tepër mund të na japë gëzimin e vet e ndihmën e vet Hyjnore. Kështu pra, mund të kuptojmë se gjëja më e bukur është ta kemi Atë si mikun tonë; se jeta është e bukur kur i ndihmojmë të tjerët, kur i gëzojmë tjerët, duke u nisur nga ata që i kemi në shtëpinë tonë; sepse duhet ti duam të gjithë pa bërë shumë dallime, duke ndihmuar sidomos ata që kanë më tepër vështirësi, për t’u bërë më të mirë.
Duke filluar kohën liturgjike të Ardhjes Kisha na thotë: “Zoti po vjen; është koha të zgjohemi”. E këtë na përsërit për katër javë. Shpresojmë të mos përfundojmë porsi shtatore, trupore të shpellës së Betlehemit( gjumashi) të jemi përgjumshëm porosi ai personazhi që, pikërisht sepse nuk don të zgjohet, nuk e heton, as nuk e merr vesh as kur mbërrijnë Krishtlindja.
Jezusi no vetëm që një ditë para shumë vitesh ka ardhur në mesin e njerëzve , por Ai për ne vjen çdo ditë në ata persona që jetojnë pranë nesh apo që Zoti na bën ti takojmë kur do të vijë në mbarimin e kohërave (Ungjilli i kësaj së diele) për të na sjell me vete përgjithmonë në gëzimin e parajsës qiellore, nëse jemi munduar në çdo rrethanë të jetojmë miqësinë me Të.
Kështu pra, leximet biblike të dielës së parë të kohës së Ardhjes na thërrasin ti dalim përpara në takim me besim, me gëzim dhe me impenjim. Tani ti dëgjojmë leximet biblike të liturgjisë Hyjnore e pastaj homelinë...........RealAudioMP3

Leximet biblike
Leximi i parë Jer 33, 14-16

Premtimet që Hyji u ka bërë njerëzve nëpërmjet Abrahamit, Jakobit dhe Davidit do të realizohen, sepse Hyji është besnik.
Do të bëjë të lindë një farë, nga e cila do të lulëzojë një mbretëri drejtësie dhe paqeje; një farë që është shkruar të vdesë e pastaj të ringjallet.
Historia e re e botës ku paqja dhe drejtësia mbretërojnë e ka origjinën nga Krishti.

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Ja, po vijnë ditë - është shpallje e Zotit – e do ta çoj në vend fjalën e mirë që ia premtova shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës. Në ato ditë e po në atë kohë, do të bëj të ngallitë për Davidin një pinjoll drejtësie. Ai do ta çojë në vend të drejtën e drejtësinë mbi tokë. Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Jerusalemi do të banojë në siguri. Dhe ja, emri me të cilin do të quhet qyteti: ‘Zoti është Drejtësia jonë’.
Fjala e Zotit.


Psalmi 25

Tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
----------
Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.
----------
I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
të përvujtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
----------
Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë
për ata që mbajnë Besëlidhjen e tij e urdhërimet.
Miqësisht sillet Zoti me ata që e druajnë,
për t’ua njoftuar Besëlidhjen e vet.
----------

Leximi i dytë 1 Sel 3, 12.13 - 4, 2

Pali na kujton se, deri në momentin e ardhjes së Krishtit, angazhimi i besimtarëve është që të rriten nën dijen e Hyjit dhe në dashurinë ndaj vëllezërve.
Krishti ka realizuar besëlidhjen e tij me njerëzimin nëpërmjet dashurisë ndaj Atit dhe ndaj njerëzve.
Paqja dhe drejtësia marrin kuptim dhe plotësi kur ashtu si Krishti heqim dorë nga vetja për të rilindur në Atin dhe në vëllezërit.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve siç është dashuria jonë ndaj juve! Ai i forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe atit tonë për ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij.
Mandej, vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, sikurse mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t’i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër. Patjetër i dini urdhërimet që ju kemi dhënë prej anës së Zotit Jezus.
Fjala e Zotit.



† Ungjilli Lk 21, 25-28.34-36

Jezusi nuk do të na frikëson, madje do të na japë një kuptim të vërtetë për të gjitha tragjeditë njerëzore.
Na mëson të kultivojmë një shpresë përtej historisë sonë, të rrimë zgjuar për të mos jetuar kot një jetë sipërfaqësore: duke na çliruar nga moskuptimi dhe ankthi i kësaj jetë.
Na fton të shikojmë në thellësi ngjarjet e ndryshme dhe të bëjmë të mundur me angazhimin tonë drejtësinë e Hyjit që tani.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tija. Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri.
Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj! Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdesevet të jetës që ajo ditë të mos ju vijë papritmas, sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë. Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.”
Fjala e Zotit.




Eja, shpejto! kënga e kohës së Ardhjes
Kënga tradicionale e Kohës së Ardhjes
Eja shpejtň, o i dashtuni,
Shelbuesi i ynë e Zot,
Eja, na nep të ndezunen
Flaken e dashtnís plot.


Kthesa
Ti drita jé, ti rruga,
E drejta e jeta jé;
Eja e ndihmona né,
Deh! Eja, o i dashtuni Krisht.


Pa tý e të gjith gabimeve,
Terrina mbarë na mblon;
E mordes hija shpirtnaveU veshet e i zotnon.

= = = = = = = =

Lutu me Ungjillin

O Zot Jezus,
të falënderojmë për dhuratën e këtij Viti Liturgjik.

Na ndihmo të angazhohemi me besim dhe guxim në këtë Ardhje:
bëj që të dimë të shohim në lartësi Ty,
që ke ardhur, që vjen dhe që do të vish në fund të kohrave.


Bëj që të dimë të çlirohemi nga shumë komoditete,
nga shumë idhuj dhe nga shumë parajsa të ndërtuara
mbi padrejtësi dhe mbi hipokrizi.

Bëj që besimi në praninë tënde shpëtimtare,
këtu në mes nesh,
të na mbështesë në vështirësitë e këtij Viti të ri Liturgjik.


= = = = = = = =

Shpirti i Krishtit

Shpirti i Krishtit, më shenjtëro.
Korpi i Krishtit, më shpëto.
Gjaku i Krishtit, më deh.
Uji i kraharorit të Krishtit, më laj.
Mundimet e Krishtit, më ngushëlloni.
O Jezus i mirë, më dëgjo.
Më fshih brenda plagëve të tua.
Mos lejo që unë të ndahem nga Ti.
Më mbro nga armiku i keq.
Në orën e vdekjes sime, më thirr.
Bëj që unë të vij tek Ti për të të lëvduar
me të gjithë shenjtërit në shekuj të shekujve. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.