2009-11-27 14:15:25

Sot me 27 nëntor kalendari Kishtar përkujton shën Virgjilin e Salcburgut, ipeshkëv


(27.11.2009 RV)I nderuar më të gjallë, por më pas i harruar, Shenjti u rizbulua në dioqezën e tij të Salcburgut dhe u kanonizua më se pesë shekuj pas vdekjes. Kaluan edhe pesë shekuj të tjerë, para se emri i tij të shkruhej në Martiriologun Romak.
Virgjilio apo Vergilius është shqiptimi latin i emrit Fergal, siç shqiptohet në gjuhën keltike të Irlandës, ishullit që nuk iu nënshtrua kurrë Perandorisë romake e që u bë i krishterë përmes predikimit të Shën Patrikut, vdekur më 461.
Me të nisi jetën një Kishë, që këtu nuk u organizua mbi bazën e dioqezave e të famullive, por mbi bazën e manastireve e abatëve të tyre, prijës shpirtëror të murgjërve e të populllit. Edhe Virgjili eci në këtë rrugë. Lindi në Irlandë në fillim të shekullit VIII dhe shumë shpejt hyri në kuvendin e Akad-bo-Cainig, ku më parë qe murg e më pas Abat dhe ipeshkëv i palodhshëm, që u shqua për edukimin fetar të popullit dhe veprimtarinë e pakursyer në ndihmë të të varfërve. Jetoi sipas rregullave shumë të rrepta të jetës murgare irlandeze, në përkim me jetën e vështir të popullsisë vendase.
Është një nga figurat më të njohura ndërmjet murgjërve irlandezë që shtegtuan nëpër botë "për Krishtin". Njihet si apostull i Karincies dhe pajtor i Salcburgut në Austri.
Shën Virgjili është ungjillëzuesi i Karincies, Stirisë e Panonisë dhe themelues i kuvendit të Shën Kandidit në Alto Adigje të Italisë. U varros në katedralen e tij, e u harrua. Katër shekuj më vonë, katedralja u shkatërrua nga një zjarr i papritur e, kur nisën punimet për rindërtimin e ndërtesës, u gjet arkivoli me trupin e tij krejt të paprishur.
Dukej sikur flinte. U fol për mrekulli e njerëzit rranë nga të katër anët për t’u lutur para trupit të njeriut, vdekur katër shekuj më parë, që dukej si i gjallë. Figura e ipeshkvit të Irlandës doli nga heshtja: populli kërkoi të shpallej shenjt menjëherë. Procesi kanonik filloi në vitin 1230 e më pas dëshmitë për shenjtërinë e e jetës së tij u nisën për në Romë. U shpall Shenjt nga Gregori IX më 1233. Emri i tij u shkrua në Martiriologun romak më 1740. Shën Virgjili vijon të nderohet nga populli e të jetë ende burim i shumë ngjarjeve të mrekullueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.