2009-11-27 17:52:50

Papa në Mesazhin për Ditën Botërore të Emigrantit e Refugjatit: të drejtat e tyre të respektohen nga të gjithë e gjithnjë.


(27.11.2009 RV)Të drejtat e emigrantëve duhet të respektohen nga të gjithë e gjithnjë: këtë pohon Benedikti XVI në Mesazhin kushtuar Ditës së 96-të Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, që do të kremtohet më 17 janarin e ardhshëm, me temë “Emigrantët dhe refugjatët e mitur”. Papa i fton të gjithë t’i kuptojnë vështirësitë, para të cilave ndodhen njerëzit, kur janë larg vatrave të tyre, larg atdheut. E vë, më pas, në qendër të vëmendjes, kryesisht kushtet sfilitëse, në të cilat jetojnë miliona fëmijë në të katër anët e botës. Bëhet, kështu, zë i të miturve, zë i më të ligështve, me vetëdijen se është tepër e vështirë që në veshët e botës të arrijë zëri lutës i fëmijëve të pa atdhe e të pastrehë. Papa kujton, në vijim, qortimin e Krishtit, i cili ‘në gjyqin e mbramë do të kërkojë llogari për gjithçka i është bërë apo i është mohuar qoftë edhe “njërit prej këtyre vëllezërve më të vegjël” (cfr Mt 25,40.45).
E Jezusi i kupton më mirë se askush miturakët emigrantë, sepse edhe ai vetë, kur ishte ende fëmijë, e provoi ç’do të thotë të jesh mërgimtar. Edhe Zotit iu desh të ikte, me gjithë babanë e nënën, në Egjipt, për të shpëtuar nga kërcënimet e Herodit. (cfr. Mt 2,14). Mesazhi vë theksin mbi kushtet dramatike, në të cilat jetojnë shumë të mitur, të braktisur plotësisht në fatin e tyre, të rrezikuar nga format më të paskrupullta të shfrytëzimit, në sa nuk merret fare parasysh Konventa, që shpall të drejtat e Fëmijëve. Benedikti XVI uron që vendet ku shkojnë emigrantët e mitur, të kujdesen për integrimin e tyre, posaçërisht përmes vijimit të shkollës dhe punësimit të mëtejshëm. Papa u shpreh mirënjohjen e tij famullive e shoqatave katolike, që punojnë me bujari në favor të emigrantëve e të refugjatëve. Mikpritja e të huajit, posaçërisht kur është fjala për fëmijët - thekson Papa – bëhet kumtim i Ungjillit të solidaritetit.
Kisha e kumton këtë Ungjill, kur ua hap krahët emigrantëve dhe refugjatëve e përpiqet konkretisht për respektimin e të drejtave të tyre, duke i nxitur liderët e kombeve, të organizmave e të institucioneve ndërkombëtare të promovojnë nismat e duhura për t’i ndihmuar. Së fundi, Benedikti XVI u kujton të gjithëve fjalët e Jezusit: “Isha i huaj, e më përbujtët!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.