2009-11-27 17:54:26

Kisha irlandeze kërkon falje për shpërdorimet mbi të miturit nga ana e klerit të kryedioqezës së Dublinit.


(27.11.2009 RV)Dhimje e turp, përultësi e pendesë: janë këto ndjenjat, me të cilat Kisha irlandeze priti dje botimin e Raportit mbi shpërdorimet seksuale të të miturve nga ana e klerit të kryedioqezës së Dublinit. Përfundimi i hetimeve, paraqitur nga ministri irlandez i drejtësisë, Dermont Ahern, flet për krime të tmerrshme, kryer në dëm të fëmijëve, nga ana e 46 priftërinjve, ndërmjet viteve 1975- 2004.
“Jam i tmerruar e, jo më pak, i turpëruar; u kërkoj falje të gjithë atyre, që e pësuan këtë të keqe, e familjeve të tyre: kështu shprehet kardinali Shon Bredi, primat i gjithë Irlandës, në një komunikatë, pas Raportit mbi shpërdorimet seksuale nga ana e klerit të kryedioqezës së Dublinit. Në dokumentin, me 700 faqe, fryt i punës së një komisioni, ngritur më 2006, flitet për 320 raste shpërdorimesh mbi të miturit. Për këtë, përveç autorëve të dhunës, iu kërkua llogari edhe katër ipeshkvijve të cilët, sipas dokumentit, ‘e panë më të arsyeshme të ruanin, në radhë të parë, emrin e mirë të Kishës, sesa të mbronin fëmijët e pafajshëm’. Kardinali Bredi, nga ana e tij, pohoi se ligji është njëlloj për të gjithë dhe siguroi se Kisha po bën ç’është e mundur për t’i mbrojtur fëmijët nga krime të tilla të shëmtuara.
Më 28 tetor 2006, duke pritur në vizitë ad Limina ipeshkvijtë irlandezë, Papa pati folur për shumë raste të dhimbshme shpërdorimesh seksuale mbi të miturit. “Përpiquni ta përballoni denjësisht këtë problem” – i pati porositur ipeshkvijtë – pa harruar se ka rëndësi të veçantë të zbulohet e vërteta për ç’ka ndodhur në të kaluarën, të merren të gjitha masat e nevojshme për të shmangur rrezikun e përsëritjes së një shëmtimi të tillë në të ardhmen, të punohet që parimet e drejtësisë të respektohen plotësisht e, mbi të gjitha, t’i kushtohet vëmendje e dorës së parë shërimit të viktimave dhe të gjithë atyre që janë prekur nga këto krime jo normale”.







All the contents on this site are copyrighted ©.