2009-11-26 17:31:35

Sot në SHBA festohet dita e falenderimit. Pak histori.


(26.11.2009 RV)Dita e Falenderimit në SHBA festohej tradicionalisht javën e fundit të nëntorit sipas një tradite nisur nga presidenti Abraham Linkoln. Por në vitin 1939 presidenti Frenklin Delano Ruzvelt e përshpejtoi me një javë. Në këtë mënyrë presidenti i “New Deal”-it (Marrëveshja e re) shpresonte ta zgjaste kohën e shpenzimeve tradicionale për Krishtlindje me mendimin se kështu do ta ndihmonte sadopak ekonominë amerikane të dilte nga gjendja e vështirë ku e kishte hedhur kriza e vitit 1929.
Por ky marifet nuk iu pëlqeu amerikanëve të cilët menjëherë e mbytën Shtëpinë e Bardhë me letra ku protestonin. Në to përmendeshin jo vetëm fakte si tradita por edhe arsye objektive si pushimet shkollore dhe kalendari i garave sportive. Debati arriti në Kongres, ku dy vjet më vonë u vendos përfundimisht se Dita e Falenderimit do të binte gjithmonë të enjten e fundit të nëntorit.
I pari ka qenë presidenti Xhorxh Uashington në 1789 ai që shpalli një ditë kombëtare falenderimi në kujtim të festës së përbashkët të Etërve Shtegtarë në vitin 1621 me bashkësinë vendore të Plimuthit. Kjo drekë në historinë amerikane është simboli i një të ashtuquajturit bashkëpunim ndërmjet kolonëve evropianë dhe indianëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.