2009-11-25 17:01:35

Kardinali Bertone në Universitetin Evropian në Romë flet për etikën e kufijve në ekonomi.


(25.11.2009 RV)“Drejt një humanizmi të ri” ishte tema e Lectio magistralis, që mbajti dje sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, për të përuruar Vitin akademik të Universitetit Evropian në Romë, hapur më 2005, ku studentët diplomohen në katër disiplina shkencore: drejtësi, ekonomi, shkenca historike e shkenca teknike.
Ceremoninë e rastit, hapur nga rektori i Universitetit, Atë Paolo Skarafoni, e mbylli ministri italian i ekonomisë, Xhulio Tremonti, i cili foli për ’Botën pas krizës”.

A është e mundur të flitet sot për një humanizëm të ri, që ta rivendosë njeriun, dinjitetin e përgjegjësinë e tij, në qendër të jetës? Këtë pyetje bëri kardinali Bertone, për të sintetizuar, më pas, historinë ekonomike të Evropës, në dritën e Encilikës së Benediktit XVI ‘Caritas in Veritate’. Sot – vërejti Hirësia e Tij – jemi përballë një kalimi epokal rrënjësor, jo vetëm për Evropën, por për mbarë familjen njerëzore, që karakterizohet nga globalizimi, liberalizimi, finaciarizimi, teknologjitë e reja, emigrimet globale, pabarazia shoqërore, konfliktet identitare, rreziqet ambientale”. Kriza financiare – shpjegoi kardinali Bertone – e bën edhe më urgjente kërkesën për një humanizëm global, në një kohë kur drejtpeshimet strukturore në ekonominë botërore u lëkundën ndjeshëm. E kjo lëkundje vuri në dukje mungesën e bazave etike të financës, e cila nuk është më mjet për të favorizuar ekonominë reale, mirëqenien dhe zhvillimin e përditshëm. Kërkesa këmbëngulëse e vendeve perëndimore, duke nisur nga gjysma e viteve ’70, për rezultate financiare gjithnjë më të shkëlqyera, u pasqyrua në të gjithë sistemin ekonomik, duke u bërë model i mirëfilltë kulturor e duke rrënjosur në popull idenë e ‘ethosit të rendimentit’ si kriter i fundit i gjykimit e i përligjjes së realitetit ekonomik. Mjeti u shndërrua në qëllim. E kështu gjithçka u përmbys. Nisen përpjekjet e njerëzve për t’u bërë të pasur pa kufi. Gjithnjë më të pasur. E me to, edhe synimi i rritjes së pakufizuar të fitimit. Kjo është logjika shkatrrimtare e kapërcimit të të gjitha kufijve. Por kapërcimi i kufijve çon në humbje, në një fund pa kuptim. Prandaj, një situate të tillë ekonomike e financiare duhet t’i kundërvëmë etikën e kufijve, rikthimin e moralit, që quhet ndryshe – përfundoi kardinali Bertone – përgjegjësi e njeriut, para se e qeverive, për të tjerët e për dinjitetin e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.