2009-11-25 15:22:52

Dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave


(25.11.2009 RV)Beteja kundër dhunës ndaj grave vazhdon akoma. Kjo u vu në dukje sot në Ditën ndërkombëtare për zhdukjen e këtij akti tejet të rëndë. Tridhjetë vjet më parë, asambleja e përgjithshme e OKB-së miratonte Konventën për zhdukjen e të gjitha formave të diskriminimit kundër grave, por akoma sot fenomeni i dhunës kundër tyre është aktual. Për këtë 25 nëntor, Amnesty International ka bërë tri thirrje në nivel botëror për të kërkuar t’i jepet fund kësaj dhune. Të dëgjojmë italianen Laura Renzi, e cila është marrë me fushatën e organizatës së OKB-së për të drejtat e njeriut:
“Do të merremi me gratë e Darfurit, që jetojnë në kampet e refugjatëve në Çad e që rrezikojnë çdo ditë dhunë e abuzime seksuale. Përsa i përket Taxhikistanit, po merremi me fenomenin e braktisjes së shkollës nga ana e vajzave, që është një problem i rëndë dhe shumë i përhapur. Kujtojmë se arsimi është e drejtë dhe përfaqëson mundësi të mëdha për gratë, por edhe sot nuk është i mundur për vajzat e varfëra. E së fundi, Bosnjë-Hercegovina, ku gratë e mbijetuara nga përdhunimet dhe format e tjera të dhunës gjatë konfliktit të viteve ’90, presin akoma drejtësi e dëmshpërblim. Duhet thënë se mijëra nga këto gra kanë humbur të dashurit, punën, pikërisht për shkak të problemeve të tyre psikologjike e fizike. Pra, edhe për to, ekziston rreziku i varfërisë”.
Kujtojmë se në fund të shekullit XX, falë punës së Gjykatës ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe asaj për Ruandën, përdhunimi i femrave konsiderohet i barabartë me krimet kundër njerëzimit, ose me krimet e luftës.







All the contents on this site are copyrighted ©.