2009-11-24 14:43:17

Nuk shuhet jehona e takimit të Papës me artistët: koment i historianit të artit, Timoti Verdon


(24.11.2009 RV)RealAudioMP3 Nga gazeta “Nju Jork Tajms” deri te televizioni “Al Zhazira”, takimi i Benediktit XVI me artistët në Kapelën Sikstina në Vatikan zgjoi një interes të jashtëzakonshëm në nivel botëror. Të shtunën e kaluar, Papa tregoi se sa potencialitet ka lidhja e ngushtë ndërmjet fesë e artit. Ati i Shenjtë e përfundoi fjalimin e tij duke u kërkuar artistëve të mos frikësohen nga feja, pasi ajo nuk i heq asgjë artit dhe gjeniut të tij, por i ngre më lart dhe i ushqen. Mbi këtë thirrje plot pasion kërkuam mendimin e historianit të artit, imzot Timoti Verdon, i cili ka publikuar kohët e fundit librin “Arti në jetën e Kishës”:
Si artistë e pra si njerëz që kanë marrë dhuratë nga Zoti një talent të madh, edhe ata janë burra e gra që, si të gjithë, i bëjnë vetes pyetjet thelbësore të jetës e duhet t’i bëjnë, si ne të gjithë, mbi bazën e një vizioni të caktuar feje e shprese: shpresa, arti si shprehje e shpresës, vepra e artit që duhet të përçojë shpresë. Papa i fton artistët të mos ia mbyllin dyert e jetës, të përvojës, të zemrës ë tyre nevojës për fe e shpresë, që të mos kenë frikë se nëse i afrohen Zotit dëmtohet arti e talenti, të cilin e ndjejnë me forcë brenda vetes.
Papa nënvizoi qartë edhe se bukuria nuk mund të ndahet nga e mira e pra, edhe nga e vërteta…
Ati i Shenjtë përvijoi një dallim shumë të qartë ndërmjet bukurisë së vërtetë, që ia hap zemrën njeriut ndaj lirisë, shpresës, e asaj bukurie të rreme, që shndrit, tërheq, por që e burgos zemrën duke e detyruar t’i shërbejë pushtetit të kësaj bote: fëlligështisë, etjes për pushtet e për pasuri. Ati i Shenjtë nguli këmbë që artistët të jenë të lirë të zgjedhin ndërmjet njërës e tjetrës, pikërisht para pikturës së famshme të Mikelanxhelos “Gjykimi i Mbramë”. Pra, u foli këtyre personave, që në një farë kuptimi gëzojnë liri të veçantë, e para “Gjykimit të Mbramë” i ftoi ta përdorin mirë këtë pushtet. Ta përdorësh mirë do të thotë të punosh që personat të shohin, të dëgjojnë, të provojnë para arteve vizive, muzikës, letërsisë, gjithçka është e mirë e jo të keqen.
“Arti në jetën e Kishës”: kështu e ka titullin libri juaj i fundit. Jo vetëm në takimin e së shtunës me artistët, por edhe herë të tjera, Benedikti XVI ka folur për marrëdhëniet ndërmjet artit e fesë, duke përmendur të ashtuquajturën “via pulcritudinis”, apo rrugën e bukurisë…
Vërtet e bukur në artin e Kishës nuk është vetëm pamja e jashtme, piktura, skulptura, ndërtesa; vërtet i bukur është mesazhi që përmbahet në të. Një nga problemet e artit bashkëkohor është se ndalet në pamjen e jashtme, në bukurinë estetike, në stilin, pa marrë parasysh se në pjesën më të madhe të historisë, arti ka qenë një mjet komunikimi, jo thjesht diçka e bukur në vetvete. Sot flitet për kompozicionin, për hapësirat e ndërtesave kishtare pa komunikuar me ata që duan t’u afrohen këtyre veprave, të cilat kanë pasur një funksion e ky funksion është komunikimi i së vërtetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.