2009-11-24 16:54:57

Izrael-Hamas: Vijojnë bisedimet për lirimin e rreshterit Shalit. Aeroplanët izraelitë godasin Gazën.


(24.11.2009 RV)Tani për tani nuk ka një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit për lirimin e rreshterit Xhilad Shalit kapur në Gazë në 2006, por nëse do të ketë një marrëveshje atëherë qeveria izraelite do të hapë një debat publik përpara se të vendosë.
Lajmin e dha sot kryeministri izraelit Beniamin Netanijahu gjatë një vizite në shtatmadhorinë e policisë në Jeruzalem. Gazeta arabe Al Shark Al Ausat njoftoi se bisedimet për lirimin e rreshterit izraelit në këmbim të një mijë të burgosurve palestinezë pothuajse ka përfunduar. Po ashtu Izraeli është gati të lirojë udhëheqësin e Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës Ahmad Sadat si edhe kryetarin e Fatahut për Cisjordaninë Marvan Barguti.
E ndërsa bisedimet për këmbimin e të burgosurve vijojnë sot aeroplanët gjuajtës izraelitë goditën tre objektiva në Rripin e Gazës si përgjigje ndaj dy raketave lëshuar kundër territorit izraelit. Sulmet ajrore shkatërruan dy tunele në Rafah, në kufi me Egjiptin si edhe një ofiçinë në afërsi të qytetit të Gazës. Sipas burimeve mjekësore, tre palestinezë mbetën të plagosur nga këto sulme.







All the contents on this site are copyrighted ©.