2009-11-24 14:46:07

Hapet Viti jubilar i Kishës martire në Vietnam


(24.11.2009 RV)RealAudioMP3 Sot në Vietnam, në solemnitetin e Martirëve vietnamezë, në So Kien, në kryedioqezën e Hanoit, ku qe shuguruar katedralja e parë e vikariatit apostolik të Tonkinit, u hap Viti i Shenjtë i Vietnamit.
Kisha e Vietnamit është një Kishë martire që shikon me shpresë të përtërirë të ardhmen: me një procesion prekës të ndriçuar nga mijëra e mijëra qira të bartur nga besimtarët dhe me Meshën solemne në të cilën bashkëkremtuan me dhjetëra ipeshkvij e qindra meshtarë e rregulltarë, u hap në Sio Kien Viti i Shenjtë i Kishës martire të Vietnamit. Një ngjarje e rëndësishme që përqendrohet mbi temën: “Kisha katolike në Vietnam: misteri, njësimi, misioni”.
Kardinali i Vendit hirësia e tij Gjon Man, kryeipeshkëv i Hokiminhit Ville, tha se qëllimi i këtij viti jubilar është: përforcimi e ndarja e përbashkët e fesë me të tjerët, promovimi i pjesëmarrjes së laikëve në ndërtimin e Kishës së gjallë vietnameze, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve me qeverinë.
“Ne nuk kemi shkolla katolike, por duam që familjet, bashkësitë e shoqatat të bëhen ‘shkolla feje e dashurie’ - shpjegoi kardinali Man. Kujtojmë se sivjet në Vietnam festohet edhe 350 vjetori i lindjes së dy vikariateve apostolike në Tonkino e Koçinçina si dhe 50 vjetori i themelimit të hierarkisë kishtare në Vend. “Gjatë këtij Viti të Shenjtë - nënvizoi kardinali Man - i drejtohemi të rinjve e familjeve në mënyrë që popullsia e të dijë çka do të thotë për të krishterët të jetosh ‘sipas fesë’: jo një konflikt apo një luftim për pushtet e për pasuri, por të jetosh në të vërtetën e në dashurinë e Krishtit. Kështu mund të kuptohet e të vlerësohet kontributi që Kisha ofron për të mirën e përbashkët të popullsisë e të kombit”, përfundoi kardinali vietnamez Man.







All the contents on this site are copyrighted ©.