2009-11-23 18:19:19

Sot me 23 nëntor kalendari Kishtar kremton Shën Klementin Romak.


(23.11.2009 RV)Klementi, ipeshkëv i katërt i Romës, kujtohet në kanunin romak pas Pjetrit, Linit e Anakletit. Letra, që u drejtoi korintianëve për rivendosjen e harmonisë së shpirtrave, konsiderohet, deri më sot, si dokumenti më i lashtë ushtrimit të parisë së Kishës së Romës. Shkrimi jep njoftime të çmuara për liturgjinë si dhe për hjerarkinë kishtare. Cek shkurtimisht edhe vdekjen e lumnueshme të Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostuj si dhe të martirëve të parë romakë, gjatë salvimit të Neronit.

Në Martiriologun Romak për të shkruhet: “Shën Klementi I, papë e martir, i treti që i priu Kishës së Romës, pas Shën Pjetrit, u shkroi korintianëve një Letër të famshme, për forcimin e paqes e të harmonisë ndërmjet tyre. Në këtë ditë përkujtohet arritja e trupit të tij në Romë.

Jehonte akoma në veshët e tij predikimi i Apostujve. Kështu flet, në shekullin II, Shën Ireneu për pasardhësin e tretë të Pjetrit, pas Linit e Anakletit, Shën Klementin, i cili ndoshta, në rini, bashkëpunoi edhe me Shën Palin. Çka dihet me siguri për të, është njohja e thellë e Shkrimit Shenjt, edhe e teksteve hebraike e jo kanonike. Mendohet, prandaj, se erdhi në kristianizëm nga hebraizmi. Dimë edhe se papnia e tij zgjati nëntë vjet, nën perandorët Domiciani, Nerva e Traiani. Zë një vend vërtetë të shquar në Kishën katolike, e cila e nderon si një nga ‘Etërit apostolikë’, për Letrën drejtuar bashkësisë së Korintit, ku barinjtë qenë zevendësuar nga disa të rinj, që shaktonin turbullira të ndjeshme në gjirin e të krishterëve.
Për sa kohë zgjati persekutimi i Domicianit në të gjithë Perandorinë, Klementi nuk e pa të arsyeshme të ndërhynte. Heshti, prandaj. Por sapo u rikthye paqja, në kohën e Nervës, nisi drejt Korintit Letrën e shkruar prej tij, por të paraqitur si zë që dilte nga Kisha e Romës, e vetëdijshme për autoritetin e përgjegjësinë e saj.
Në Letër Papa kujton zanafillën hyjnore të autoritetit kishtar dhe normat për vazhdimësinë apostolike; dënon dëbimin e meshtarëve të Korintit dhe përshkruan figurën e mbarë bashkësisë së krishterë, si model i vëllazërisë. Së fundi, ndonëse Klementi shkruan pas persekutimit, kujton qartë detyrën e bindjes ndaj princave në çështjet tokësore.
Letra, e njohur si e para e Klementit, pohon, pas teksteve të Apostujve, autoritetin e ipeshkvijve mbi besimtarët dhe parinë e Kishës së Romës mbi kishat e tjera. Prandaj kjo Letër do të quhej ‘Epifania (Dëftimi) e parisë romake’. E dokumenti, që do të përhapej në mbarë botën e lashtë kristiane, do të mbetej i vlefshëm për të gjitha kohët. Zëri i Klementit vijon të flasë me ton hijerëndë, të urtë, atëror, plot përgjegjësi e vendosmëri përmes këtij Dokumenti, që do të lexohej publikisht në Korint për 70 vjet me radhë, së bashku me Shkrimin Shenjt, gjatë takimeve eukaristike të së dielës.
Pak e aspak dihet për vitet e fundit të jetës së Shën Klementit. Sipas një tradite të shekullit IV, u mbyt, me një spirancë të varur në qafë, në Krime, ku ishte internuar me urdhër të Nervës. Por aktet që lidhen me këtë fund, gjykohen si legjendare. Nga ana tjetër, si historiani Euzebi i Çezaresë, ashtu edhe Shën Jeronimi, pohojnë njëzëri se Klementi vdiq në vitin 101 e nuk flasin fare për internim, as për martirizim.
Në shekullin IV, mbi kodrën Çelio të Romës, iu kushtua një bazilikë, që do të digjej më pas nga një zjarr i papritur në vitin 1084. Mbi hirin e saj, pas vitit 1100, do të lindte bazilika e re me tri navata, e restauruar më pas përsëri në shekullin XVIII. Nën absidin e saj, gjatë gërmimeve që u realizuan në vitet tetëqind, u zbulua një pjesë e bazilikës së parë, me piktura të lashta murale. Kisha vijon, në të gjitha kohët, ta nderojë Papën e katërt, me emrin Klementi Romak.







All the contents on this site are copyrighted ©.