2009-11-23 16:15:09

Në Romë bisedimet ndërmjet Kishës Katolike dhe Bashkimit Anglikan. Intervistë me kryeipeshkvin Rouan Uiliams


(23.11.2009 RV)Filluan sot në Romë punimet e Komisionit të ngarkuar me përgatitjen e fazës së tretë të dialogut teologjik ndërkombëtar ndërmjet Kishës Katolike dhe Bashkimit Anglikan. Ky takim i rëndësishëm vjen menjëherë pas audiencës të së shtunës së Papës Benedikti XVI me kryeipeshkvin e Kanterburit, Rouan Uiliams. Në qendër të bisedimeve, Kushtetuta apostolike e miratuar nga Ati i Shenjtë për anglikanët që dëshirojnë të hyjnë në gjirin e Kishës Katolike. Mbi këtë çështje të dëgjojmë vetë kryeipeshkvin Uiliams në mikrofonin tonë:
Natyrisht shpreha disa shqetësime lidhur me mënyrën se si u shpall kjo Kushtetutë, pasi shumë anglikanë, përfshirë edhe mua, u ndjenë në vështirësi, jo aq për përmbajtjen se sa për disa mesazhe që u dhanë; prandaj, kisha nevojë të konsultohesha me Papën për disa nga këto shqetësime e besoj se u shprehën dhe u dëgjuan me një frymë shumë miqësore.
Çfarë ju tha Papa, cili ishte mesazhi i tij?
Mesazhi ishte se Kushtetuta nuk përfaqëson asnjë ndryshim në sjelljen e Vatikanit ndaj Bashkimit Anglikan. Për takimin tonë është bërë e njohur edhe një komunikatë shumë e qartë, e cila flet për bisedimet e reja ndërmjet katolikëve dhe anglikanëve, që Papa dëshiron t’i vazhdojë.
Çfarë mendoni për anglikanët që e konsiderojnë kthimin në katolicizëm gjënë më të mirë që mund të bëjnë?
Mendoj se personat që kalojnë në katolicizëm e bëjnë këtë me bindje, me vetëdije. Mirë për ta! Ndër ata që nuk bëhen katolikë ka anglikanë tradicionalë, të cilët nuk janë të kënaqur nga drejtimi që po merr Bashkimi Anglikan me shugurimin e grave për meshtar. Për të mos folur për çështjen e homoseksualëve! Pra, brenda bashkësisë anglikane ka një gamë shumë të gjerë qëndrimesh teologjike, që shkojnë nga qëndrimi në favor të shugurimit të grave e deri te ata që mendojnë se këtë problem duhet ta diskutojmë jo vetëm brenda nesh, por duhet ta zgjidhim edhe me Kishat e tjera. Por gjithçka brenda një spektri të gjerë qëndrimesh. Nuk dua që ky spektër të ngushtohet: ja përse shqetësohem të mbaj sa më tepër persona rreth tryezës së bisedimeve.
Flitet për një vizitë të Papës në Britaninë e Madhe në vititn 2010. Si mund ta presin jo katolikët?
Mendoj se do të varet shumë nga mënyra se si Papa do t’i flasë gjithë shoqërisë britanike e jo vetëm katolikëve. Është shumë domethënëse që në qendër të vizitës është kardinali Njuman, pasi ai nuk është vetëm pronë e Kishës Katolike romake. Ka qenë një nga intelektualët dhe letrarët më të mëdhenj të shekullit XIX dhe Atit të Shenjtë i kam thënë ta mendojë në atë kuptim, për t’ju drejtuar krejt shoqërisë britanike.







All the contents on this site are copyrighted ©.