2009-11-22 13:42:24

Toka e Shenjtë në festë për Lumnimin e motrës Mari-Alfonsinë Ghatas.


(22.11.2009 RV)RealAudioMP3 Sot besimtarët e Tokës Shenjte morën pjesë, me emocion të thellë, në lumnimin e motrës Mari Alfonsinë Ghatas, themeluese e Kongregatës së Motrave të Rruzares Shenjte të Jeruzalemit, e vetmja Kongregatë e ngritur në Tokën e Jezusit.
E lindur në Jeruzalem në vitin 1843, e Lumja e re, që ia kushtoi gjithë jetën mbrojtjes të të drejtave të grave në Palestinë, njihet edhe si ‘Bernardetë Subiru e Tokës Shenjte”.
Meshën, me ritin e Lumnimit, kremtuar në Bazilikën e Zojës Nunciatë të Nazarethit, e kryesoi Patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuat Tual. Ndërsa Letrën apostolike të Lumnimit, e lexoi kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës së Shenjtorëve, i cili vuri në dukje sidomos praninë e Zojës së Bekuar në jetën e së Lumes Mari-Alfonsinë. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Duke nisur që nga Solemniteti i Dëftimit të Zotit në vitin 1874, jetës së motër Marisë i priu gjithnjë prania mistike e Zojës së Bekuar, e cila e shoqëroi në rrugën e themelimit të Kongregatës së Motrave të Rruzares. Në ditarin e saj, që u bë i njohur vetëm pas vdekjes, e Lumja tregon vegimin e parë, të 6 janarit 1874, gjatë të cilit Zoja e Bekuar iu duk e rrethuar me një dritë verbuese, me rruzare në dorë. Ky vegim ia ndryshoi rrjedhën gjithë jetës së saj: që nga ai ças, çdo hidhërim, sado i padurueshëm, nisi t’i dukej i pranueshëm, i ëmbël. Vetmia i dukej Parajsë e bindja, e vetmja dëshirë. Kur ndjeu thirrjen për të themeluar Kongregatën, iu duk vetja krejt e padenjë, e papërgatitur për këtë mision. Atëherë pati një vegim të ri: e pa Zojën e Bekuar në këmbë, mbi çatinë e një kuvendi, me pesëmbëdhjetë dritare, në të cilat dukeshin pesëmbëshjetë motra, secila me emrin e një misteri të Rruzares: Maria e Lajmërimit, Maria e Vizitacionit, Maria e Lindjes së Zotit... Mari Alfonsina e pa veten në dritaren e dhjetë, me emrin Maria e Kryqit. E në kryq do të mbërthehej deri në fund të jetës , gjatë së cilës i dhuroi Kishës së Krishtit një kongregatë plotësisht arabe.







All the contents on this site are copyrighted ©.