2009-11-22 13:40:26

Effatà- Hapu! Editorial i Atë Lombardit


(22.11.2009 RV)Përfundoi dje në Vatikan Konferenca XXIV ndërkombëtare, organizuar nga Këshilli Papnor për punonjësit e shëndetësisë, me temë: “Effatà! Shurdhmemeci në jetën e Kishës”.
Të premten e kaluar, duke pritur pjesëmarrësit në Konferencë, Papa i bëri thirrje shoqërisë t’u japë fund diskriminimeve të pajustifikueshme, që pësojnë edhe sot njerëzit, të cilëve u mungon shqisa e dëgjimit. Njëkohësisht uroi që njerëzimi të shërohet nga një formë tjetër e shurdhërisë, nga shurdhëria e shpirtit, që ngre mure gjithnjë më të larta, për të mos e dëgjuar zërin e Zotit e të të afërmit, posaçërisht britmën e njerëzve më të varfër, njerëzve më të vuajtur, duke e mbyllur njeriun në guaskën e egoizmit të thellë e shkatërrimtar.
Por, lidhur me këtë, të ndjekim editorialin e Atë Federiko Lombardit, për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:

“Kam parë një çift të ri bashkëshortësh: flasin vazhdimisht me gjuhën e shenjave: ai është i shurdhër, ajo është veshi i tij e zëri i tij për të komunikuar me të tjerët. Duhet më shumë kohë e më tepër durim për të komunikuar, por sigurisht nuk bëhet fjalë për një komunikim të nxituar, të përciptë, si ai i zakonshmi, me të cilin jemi mësuar. Është komunikim, që del nga shpirti e kalon përmes rrugës së jashtëzakonshme të dashurisë.
Këto ditë në Vatikan u mbajt një konferencë e bukur me temën e vendit që zënë shurdhmemecët në jetën e Kishës: janë rregulltarët e rregulltaret, të cilët shkrijnë gjithë jetën për ta bërë të mundur këtë komunikim; janë meshtarët, të cilët impenjohen, që shenjat e sakramenteve të kapërcejnë murin e heshtjes, i cili e ndan të shurdhërin nga bota; janë mjekët, që punojnë për ta parandaluar e për ta kapërcyer këtë handikap. Rreth nëntëdhjetë nga të pranishmit janë shurdhmemecë e komunikojnë me gjuhën e gjesteve.
Ndoshta për këtë do të flitet pak. Të tjera janë problemet e Kishës, që ngjallin kureshtjen e mediave. Por ne mendojmë se kjo është gjë e rëndësishme. Nuk i harrojmë lutjet e këngët, shprehur me lëvizjen e duarve; fjalimin e Papës, përkthyer në gjuhën e gjesteve. Besimtarët e dinë se në Gjyqin e mbramë Zoti – i cili këtu në tokë ua hapi veshët të shurdhërve e ua zgjidhi gjuhën të pagojëve, ka për t’i pyetur: “Isha i shurdhër, më ndihmuat të dëgjoj? Isha pa gojë, më ndihmuat të flas?” Janë pyetje, për të cilat ia vlen të reflektosh!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.