2009-11-21 10:48:04

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 34-të kushtuar
solemnitetit të Jezu Krishtit, Mbret i gjithësisë! ‘B’


(21.11.2009 RV)‘Jezu Krishti Mbret dashurie që mbretëron në zemra tona!'
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 34-të e të fundit këtij viti kishtar, të ciklit të dytë, të cilën Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.RealAudioMP3 Ja pra, dëgjues të nderuar kemi mbërrijë në të dielën e mbramë të ‘Kohës së Rëndomtë të këtij viti’ liturgjik kishtar që mbyllet me këtë të diele. Para nesh kemi figurën e Jezusit, Mbretit të Gjithësisë.
Pas harkut kohor prej mëse dymijë vjetësh skena vazhdon të na bëjë gjithnjë përshtypje. Në njërën anë kemi përfaqësuesin e pushtetit të Romës, të ushtruar me forcën që vjen prej legjioneve ushtarake; në anë tjetrën kemi një njeri, që i përket një popullit të nënshtruar, e të cilin pikërisht bashkëkombësit e tij duan ta dënojnë me vdekje. Nga njëra anë gjykatësi, që ka mundësinë të dënojë apo lirojë; në anën tjetër i pandehuri, i braktisur nga të gjithë, i akuzuar padrejtësisht, E megjithëkëtë është pikërisht në këtë kontekst që Jezusi e shpall me thjeshtësi mbretërinë e vet. Një mbretëri që nuk ka të bëjë asgjë me ato elemente apo tipare që zakonisht i karakterizojnë mbretëritë, e megjithatë, përtej aspektit të dukshëm, mbretëria e Jezusit është e vetmja mbretëri e vërtetë.
Qysh në Besëlidhjen e Vjetër Danieli profet fliste për një bir të njeriut të cilit Zoti i jep çdo pushtet dhe të cilit të gjithë popujt, kombet e gjuhët i shërbenin (krh Leximi I).
Kjo profeci u realizua në Jezusin: ai është i vetëdijshëm se është Mbret, i paralajmëruar (profetizuar) dhe i pritur, dhe këtë e dëshmon shumë qartë para Pilatit, por saktëson edhe faktin se Mbretërinë e tij nuk duhet kërkuar me dhe në kategoritë njerëzore, pasi që Mbretëria e tij nuk është këtu poshtë mbi tokë, pra nuk është e kësaj bote. (krh Ungjillin)
Mbretëria e Jezusit është një Mbretëri ku ligji është dashuria ndaj Zotit e të afërmit; drejtësia quhet mëshirë, përdëllim; i afërmi e të tjerët nuk janë nënshtetas e të nënshtruar por vëlla e vëllezër sepse janë bijtë të njëjtit Atë Qiellor; armët e Jezusit janë Fjala, falja e urata.
Ne që jemi të pagëzuar, në saje të hirit të Tij Hyjnor që e kemi marrë dhuratë përmes Shpirtit Shenjtë Zot, qysh tani jemi pjesë e kësaj Mbretërie, mirëpo sot nga Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, jemi të ftuar ta ripërtërijmë aderimin tonë të brendshëm dhe impenjimin për të punuar në mënyrë që Mbretëria e Jezusit të shtrihet e të përhapet përherë e më shumë në botë, duke u nisura nga familjet e shtëpitë tona.
Këtë, të bindur se Jezusi është mbret i gjithësisë, se Mbretëria e tij nuk është e kësaj bote, nuk mund të krahasohet me asnjë perandori historike, e megjithëkëtë Mbretëria e Krishtit realizohet e ndërtohet në histori e kohë duke i shndërruar ato. Në pyetjen e drejtpërdrejtë të Pilatit “a je ti mbreti i judenjve?”, Jezusi përgjigjet, duke pohuar se është mbret, por në mënyrë absolutisht origjinale (Ungjilli). Kështu Gjoni ungjilltar shpjegon se mbretëria e tij qëndron në dëftimin e Tij Hyjnor, dmth në komunikimin e Zotit njerëzve. Në të vërtetë, Jezusi i mundëson Zotit të jetojë në njeriun e njeriut i ofron mundësinë të ketë pjesë dhe të jetojë në bashkim më Zotin.
Komentin e leximeve biblike të kësaj së diele do të dëgjojmë nga prifti shqiptar nga Tirana, don Gjergj Meta.

Leximi i parë (Dan 7, 13-14)


Lexim prej Librit të Danielit profet
Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: dhe ja, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i tij pushtet i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet.


Fjala e Zotit.


Psalmi 93 (92)

Ref: Hyji mbretëron! U vesh me madhëri!
----------

Hyji mbretëron! U vesh me madhëri!
Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.
----------
Të palëkundshme e bëri botën:
assesi s’do të trandet!
I patundshëm është froni yt që prejfillimit,
ti je i amshueshëm!
----------
Dëshmitë e tua janë plotësisht të besueshme,
shenjtëria i përket Shtëpisë sate
përgjithmonë e jetës, o Zot.
----------


Leximi i dytë (Zb 1, 5-8)

Lexim prej Zbuleses së shën Gjonit apostull.


Jezu Krishti është Dëshmitar besnik, i Parëlinduri ndër të vdekur, Sunduesi i mbretërve të tokës! Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjakun e vet, që na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin, Atin e vet, - Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen
Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy edhe ata që e shporuan dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij. Po! Amen! Unë jam Alfa dhe Omega - thotë Zoti Hyj, - Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.
 
Fjala e Zotit


Ungjilli (Gjon 18, 33b-37)


Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit


Në atë kohë, Pilati e pyeti Jezusin: “A je ti mbreti i judenjve?” Jezusi iu përgjigj: “A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë të tjerët për mua?” Pilati u përgjigj: “Pse, a mos jam unë judeas? Populli yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çka ke bërë?” Jezusi u përgjigj: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bija në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”
“Pra, ti qenke Mbret?”- i tha atëherë Pilati. “Mirë thua! - iu përgjigj Jezusi - Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.”


Fjala e Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.