2009-11-20 18:00:59

Thirrje e Atit të Shenjtë: shoqëria nuk duhet t’i diskriminojë njerëzit që nuk dëgjojnë. E njerëzimi duhet shëruar nga shurdhëria e shpirtit.


(20.11.2009 RV)Shoqëria duhet t’u japë fund diskriminimeve të pajustifikueshme, që pësojnë edhe sot njerëzit, të cilëve u mungon shqisa e dëgjimit: për këtë bëri thirrje Papa në audiencën e sotme me pjesëmarrësit e Konferencës XXIV ndërkombëtare, organizuar nga Këshilli Papnor për punonjësit e shëndetësisë, me temë: “Effatà! Njeriu i shurdhër në jetën e Kishës”.
Duke theksuar se diskriminimet më të dënueshme vërehen sidomos në vendet e pazhvilluara, Papa u bëri thirrje autoriteteve politike dhe civile ndërkombëtare e kombëtare për promovimin e respektimit të dinjitetit e të të drejtave të njerëzve që nuk dëgjojnë, të cilët duhen ndihmuar të integrohen plotësisht në radhët e shoqërisë.
Duke pasur parasysh fjalën ‘Efattà’ – “Hapuni”, shqiptuar nga Krishti kur shëron shurdhmememcin, sipas Ungjillit të Shën Markut - fjalë bazë në temën e Konferencës ndërkombëtare, Papa vërejti: Jezusi nuk shëron vetëm shurdhërinë fizike. Ekziston një formë tjetër e shurdhërisë, nga e cila duhet shëruar njerëzimi, më mirë të themi, duhet shpëtuar:
“Është shurdhëria e shpirtit, që ngre mure gjithnjë më të larta, për të mos e dëgjuar zërin e Zotit e të të afërmit, posaçërisht britmën e njerëzve më të varfër, njerëzve më të vuajtur, duke e mbyllur njeriun në guaskën e egoizmit të thellë e shkatrrimtar”.
Ç’duhet bërë, atëherë? Duhet që njeriu ta mundë vetminë e paaftësinë për të komunikuar, pasojë e egoizmit, për të krijuar fytyrën e re të njerëzimit, i cili di ta dëgjojë fjalën, të dialogojë, të komunikojë, të bashkohet me Zotin. Njerëzimit të mirë, siç është e mirë e gjithë krijesa e Zotit; njerëzimit pa diskriminime, pa përjashtime, që bota të jetë me të vërtetë e për të gjithë, ‘fushë e vëllazërimit të mirëfilltë”.
“Të dashur vëllezër e motra – iu drejtua Papa njerëzve që nuk dëgjojnë - ju nuk jeni vetëm marrës të mesazhit ungjillor, por jeni edhe kumtues të mirëfilltë, për virtyt të Pagëzimit tuaj. Dëshmoni, prandaj, çdo ditë, në mjediset ku jetoni, se jeni dëshmitarë të Zotit, duke e bërë të njohur Krishtin e Ungjillin e tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.