Sot me 20 nëntor kujtojmë 1 vjetorin e vdekjes së don Luigj Kçires, meshtar i urtë,
i mbijetuar nga persekutimi komunist
(20.11.2009 RV) Me 20 nëntor 2008 u nda nga kjo jetë në Shkodër, don Luigj
Kçira, meshtar i urtë e devotshëm, i mbijetuar nga regjimi komunist, për t’i shërbyer
me besnikëri fesë në ditët kur ajo u lirua nga prangat e diktaturës. Lindi
në vitin 1925 në Shkodër. Mësimet i ndoqi në gjimnazin “Illyricum” të françeskanëve.
Në vitin 1945 u arrestua më shumë të rinj të tjerë, të grupit “Bashkimi Shqiptar”,
me në krye seminaristin Mark Çuni. Mbajti një qëndrim shembullor, duke mbrojtur Atë
Gjon Faustin e Atë Daniel Dajanin, që u akuzuan si organizatorë e frymëzues të grupit.
Ja dëshmia e tij: “At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë
trakte. Ata mi ka dhanë Mark Çuni e Gjergj Bicaj. Unë i kam lanë në shtëpi të Gjovalin
Zezaj, dhe bashkë me té kemi dalë me i shpërnda. Këtë e ka dijtë edhe xhakoni Gjon
Shllaku e Zef Kuqi. Tue i shpërnda na ka kapë Kol Shytani e Gjon Prennushi, dhe jemi
arrestue atë natë, më 27 nandor 1945. Kush na paditi s’e dij”. U dënua me
10 vjet burg. Lirohet më 1955 e më pas shugurohet meshtar nga imzot Ernest Çoba më
24 mars 1963. Meshën e parë e thotë në Kishën e Arrës së Madhe, më 13 mars 1991, vetëm
pas rihapjes së kishave në Shqipëri. Funerali u mbajt në katedralen e shën Shtjefnit
në Shkodër.