Sot me 20 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Oktavin, martir
(20.11.2009 RV)Pak gjëra të sigurta dimë për Shenjtin që përkujtohet sot. Falë
shkrimeve të ipeshkvit të parë të Torinos, Shën Maksimit, dihet me siguri vetëm se
Shën Oktavi, së bashku me Shën Solutorin e Shën Aventorin jetuan dhe u martirizuan
rreth shekullit III. Gojëdhënat e mëvonshme i paraqesin si ushtarë të legjionit mitik
të Tebesë dhe tregojnë se Oktavi e Aventori u mbytën në Valdoko të Torinos, ndërsa
Solutori ia doli mbanësh të ikte në Kanaveze. Por aty u kap rishtas e iu pre koka
në brigjet e lumit Dora Baltea. Martiriologu Romak, kalendar zyrtar i Kishës universale,
i përkujton më 20 nëntor, në përvjetorin e vdekjes, ndërsa dioqeza e Torinos ua kremton
festën më 20 janar, ditën kur trupat e tyre u mbartën në Kishën e tre Shenjtorëve
martirë. Në Kodikët e komunës së Torinos gjejmë ikonografi të pasur kushtuar Shën
Oktavit, Shën Solutorit e Shën Aventorit, pajtorë të lashtë të qytetit, të cilët paraqiten
me simbolet e martirëve e të ushtarëve tebej.