2009-11-20 18:01:20

Restaurohet Crux vaticana: relikja vatikanase e Kryqit të Krishtit


(20.11.2009 RV)Kryqi i Krishtit i solli botës mahnitje, bukuri e risi. E nuk është simbol i një legjende të përshpirtshme, por histori e vërtetë, histori njerëzore e hyjnore. Këtë pohoi kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, kardinali Anxhelo Komastri, duke paraqitur Crux vaticana, apo Kryqin e Vatikanit, simbol i Thesarit të Shën Pjetrit, që sapo është restauruar e që publiku mund ta nderojë në Vatikan deri më 12 prill 2010.
Kardinali Komastri shfrytëzoi rastin për të mbrojtur vlerën e pranisë së Kryqit në mjediset publike, kundërshtuar nga vendimi i marrë kohëve të fundit nga Gjykata e Strasburgut.
Duke cituar tekstet e Natalia Ginsburg e të Ernesto Renan, autor i një vepre kushtuar jetës së Krishtit, të cilin përpiqet ta zhveshë nga shenjtëria, Hirësia e Tij pohoi se ‘Kryqi është pjesë përbërëse e historisë së botës e se edhe vetë Renan, që nuk beson në Krishtin, detyrohet të pranojë se ‘Jezusi nuk do të vjetërohet kurrë”.
Mendohet se Crux vaticana, që arriti në Romë nga Kostantinopoja rreth viteve 565- 578 si dhuratë nga perandori bizantin Justini II e që njihet edhe si Kryqi i Justinit ose Vexillum Regis, përmban një copëz të Kryqit të vërtetë të Krishtit. Ky objekt kaq i çmuar, u restaurua për herë të parë në vitet tetëqind. Restaurimi i dytë, aktuali, ia riktheu shkëlqimin e zanafillës, pa ia prekur origjinalitetin, me përjashtim të peshtafit të ri, më të pështashëm për reliken e shenjtë. Mbi stolinë, me vlerë të pallogaritshme, veshur me lamina argjendi të praruar, stolisur me gurë të çmuar e margaritarë, shkruhet: “Me këtë dru, përmes të cilit Krishti mposhti armikun e njerëzve, Justini II ia dhuron veprën Romës”.
Stolia ka shumë mundësi të ketë qenë e mbretëreshës Sofia, e cila e dhuroi si shenjë nderimi për Romën.
Gjithsesi vlera e vërtetë e kësaj relikeje - theksoi kardinali Komastri – nuk është ari as argjendi, por copëza e shkëputur nga Kryqi i vërtetë i Krishtit.
Ka rëndësi të jashtëzakonshme, prandaj, edhe pse vërteton që Lindja e Perëndimi qysh në shekullin VI, ishin të bashkuara nën shenjën e Kryqit, simbol i gjithëpushtetit të vërtetë të Zotit, gjithpushtet i dashurisë, gjithëpushtet i faljes, simbol i faktit të jashtëzakonshëm, që ia solli botës vetëm krishterimi. Prandaj, pavarësisht nga polemikat, na takon ne, të krishterëve, të dëshmojmë se kryqi nuk është kurrë burim diskriminimesh e se relikja e vërtetë e Kryqit jemi ne vetë: me jetën tonë duhet t’i tregojmë botës ç’është Ungjilli e ç’ të re i sjell njerëzimit. Kështu të gjithë do ta shikojnë me sytë e tyre se atje ku arrin Ungjilli, vërshon dashuria e krishterë, që i jep fund së keqes, në emër të ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen!







All the contents on this site are copyrighted ©.